Pritet anulimi i konkursit të KEK-ut që u hap në kohën e zgjedhjeve

Publikuar më:

Fushatat, premtimet e debatet nuk janë karakteristikat e vetme që përcjellin zgjedhjet qofshin ato komunale apo parlamentare në Kosovë.

Kjo sepse me fillimin e fushatës zgjedhore, në komuna të shumta të vendit “lulëzojnë” thirrje të shumta për vende të lira pune.

Të premten e pesë nëntorit, Korporata Energjetike e Kosovës shpalli konkurs për 150 pozita të lira pune, që përfshijnë teknik të makinerisë, elektronikës, kimisë, zjarrfikës, inxhinier të makinerisë, elektroteknikës, si dhe disa pozita tjera.

Mirëpo, ‘Paparaci’ nga burimet ka mësuar se konkursi për 150 vendet e lira të punës në KEK, pritet të anulohet pas zgjedhjeve.

Gazeta gjithashtu ka mësuar se konkursi është duke u përdorur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje si një nga “strategjitë” e tyre për fushatën zgjedhore në komunat e Fushë Kosovës, Obiliqit, Podujevës e Prishtinës.

Shpallja publike e bërë nga ana e KEK-ut dhe të cilën VV-ja po e përdorë për fushatë zgjedhore, nuk është e protokolluar dhe njëkohësisht nuk ka as nënshkrim nga ana e Departamentit të Burimeve Njerëzore në këtë korporatë.

Kujtojmë se nesër në Kosovë do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve ku qytetarët e 21 komunave do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë në raundin e parë, por ka shkruar në balotazh në 12 komuna në nivel vendi.

LVV nesër garon në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Shtimes, Gjakovë, Rahovecit, Fushë-Kosovë, Podujevës, Kaçanikut, Obiliqit, Vitisë dhe Kamenicës.

JU REKOMANDOJMË