Prindon Sadriu i kërkon aprovim shtetit për xhamat e zi të veturës së vjehrrit të Vjosa Osmanit

Publikuar më:

Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, nuk po i shfrytëzon vetëm privilegjet e të qenit diplomat, por edhe privilegjet e të qenit Zotëri i Parë. Së fundmi, ai i është drejtuar me një kërkesë edhe ministrit Xhelal Sveçla.

Zotëriu i Parë i ka kërkuar Sveçlës që veturës private të babait të tij, Skender Sadriut, të cilës si duket ia kanë vendosur kundërligjshëm folien me ngjyrë të errët në xhamat e përparmë dhe të pasmë, ndryshimi t’i evidentohet edhe në Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit. Sadriu këtë e ka arsyetuar, duke thënë se automjeti i vjehrrit të presidentes Osmani përdoret në raste të rralla edhe nga vetë e para e shtetit.

Pavarësisht që shumë qytetarë të Kosovës dënohen për vendosjen e xhamave të errësuar në automjete dhe u lejohet vetëm kur veturat janë të prodhuara me xhama të errësuar, kjo si duket nuk vlen edhe për familjen e bashkëshortit të presidentes Osmani.

Demokracia.com ka siguruar shkresën e Prindon Sadriut, i cili në cilësinë e Zotëriut të Parë i është drejtuar direkt ministrit Sveçla me këtë kërkesë.

“I nderuar Ministër Sveçla: Me shpresën të jeni mirë, në cilësinë e Zotërisë së Parë të Republikës së Kosovës ju kërkoj me konsideratë aprovimin e kërkesës për evidentimin në Certifikatën e regjistrimit të automjetit të folies me ngjyrë të errët të xhamave të përparmë dhe të pasmë të veturës e cila shfrytëzohet nga unë, fëmijët dhe në raste të rralla edhe nga vet Presidentja. Kjo kërkesë bëhet për shkaqe të sigurisë. Ju njoftoj gjithashtu që vetura në fjalë është në shfrytëzim nga babai im me qenë se nuk posedojmë veturën tonën familjare. Prandaj, me konsideratë kërkoj aprovimin e kërkesës në fjalë duke ushtruar diskrecionin tuaj sipas praktikave paraprake nga MPBAP. Detajet e veturës i gjeni të bashkangjitura në Certifikatën e regjistrimit të automjetet të bashkangjitur”, thuhet në kërkesën e Zotëriut të Parë për ministrin Sveçla, e cila përfundon me nderimet e Sadriut.

Demokracia.com ka siguruar edhe Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit, ku shihet se bëhet fjalë për një Mercedes C 200 CDI, tip karavan, me vit të prodhimit 2008, në emër të vjehrrit të presidentes Osmani, Skender Sadriut.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Vlen të përmendet se Skender Sadriu, vjehrri i presidentes Osmani, nuk drejton veturë zyrtare dhe nuk i lejohet vendosja e xhamave të errësuar.

Kjo është e rregulluar me ligjin NR. 02/L-70 Për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, sipas pikës (e), të nenit 200.1.

Policia e Kosovës javë më parë kishte bërë të ditur se vetëm gjatë muajit nëntor janë shqiptuar 105 gjoba tek shoferët kosovarë që kanë vozitur automjete me xhama të errësuar.

JU REKOMANDOJMË