Policia e Kosovës dje në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar që drejtohej nga Z. J., shtetas kosovar, për trafikim me substanca narkotike.
Gjatë operacionit të koduar “007”, Policia e Kosovës ka gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro).
Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.
Policia ka njoftuar se gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,
një veturë me targa vendore,
1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro),
8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë),
dy telefona celularë,
17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.
Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’.