Më 9 qershor 2026, Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka nxjerrë vendimin me numër protokolli 5245 për largimin e përkohshëm nga puna të pesë punonjësve të Njësisë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.
Sipas vendimit, masa e pezullimit hyn në fuqi nga 8 qershori 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi nga Komisioni Disiplinor.
Vendimi është marrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit në fjalë janë evidentuar si të angazhuar në punë gjatë ditëve të fundjavës, megjithëse ekzistojnë dyshime se ata nuk kanë qenë fizikisht të pranishëm në vendin e punës.
Bazuar në gjetjet paraprake, menaxhmenti i ndërmarrjes dyshon se mund të jenë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, të parapara në nenin 10, paragrafët 1.1, 1.5, 1.13, 1.19 dhe 1.26 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A.
Rasti pritet të trajtohet nga Komisioni Disiplinor, i cili do të shqyrtojë rrethanat dhe provat përkatëse para se të marrë një vendim përfundimtar.







