PDK kërkon nga Qeveria që të shpërndahen 200 milionë euro për punëtorët dhe bizneset

Publikuar më:

Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se masat e ndërmarra për ruajtjen e shëndetit dhe ato për pasojat ekonomike nuk janë në balanc.


“Situata e prodhuar nga pandemia ka krijuar probleme dhe pasoja në aspektin shëndetësor dhe në atë ekonomik. Këtë jo vetëm në Kosovë, por gjithandej globit – megjithatë ka disa dallime shumë domethënëse. Ne e dimë dhe e vlerësojmë se jeta e secilit njeri është shumë e vlefshme, shëndeti i secilit njeri është shumë i vlefshëm. Fatkeqësisht kemi pasë shumë humbje të jetëve të qytetarëve të Kosovës, por e kemi parë që kemi masa të disekulibruara mes ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të vendit që është shumë e rëndësishme dhe në anën tjetër ka masa totalisht të pamjaftueshme për trajtimin e gjendjes ekonomike në vend”.

“Janë duke u vonuar dhe nuk është qëllimi jonë që të jemi kritik vetëm pse jemi opozitë. Edhe në të kaluarën kemi dhënë alternativat tona. Qeveria e kaluar ka qenë jo në nivelin e detyrës dhe përgjegjësive dhe sipas të gjitha gjasave edhe qeveria aktuale, edhe pse është një kohë e shkurtër, nuk po jep sinjale që ka seriozitet dhe e ka të qartë se si të veprojë në këtë situatë”.

Hamza, në një konferencë për media, ka thënë se duhet të zbatohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike në kuadër të të cilit janë paraparë 200 milionë euro si përkrahje për sektorin privat.

“Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të dhjetorit të kaluar. Aty ka pasë amandamente (që janë tonat) ku 200 milionë euro janë të ndara për përkrahjen për sektorin privat në formë të granteve apo kontributeve financiare pa kthim. Gjithashtu me atë ligj janë të ndara 30 milionë euro që janë të dedikuara për të gjithë të punësuarit që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë. Ligji është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe qeveria duhet ta zbatojë ligjin. Bizneset nuk e kanë fituar këtë përkrahje, ashtu si ata që kanë humbur vendet e punës”.

“Kërkesa jonë konsiston në atë që të zbatohet ligji dhe këto 200 milionë të aprovuara me ligj nga Kuvendi i Kosovës të fillojnë t’i shpërndahen bizneseve”.

JU REKOMANDOJMË