Pasuria e kryetarit Bedri Hamza: 3 banesa, 100 mijë euro tokë e veturë 27 mijë euro

Publikuar më:

Mitrovicën për katër vitet e ardhshme do ta udhëheqë Bedri Hamza, i Partisë Demokratike të Kosovës.


Hamza ka mbajtur disa pozita të rëndësishme si Ministër i Financave, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës e pozita të tjera.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, Hamza ka pasuri të paluajtshme në vlerë 263 mijë euro.

Në emër të tij ka të deklaruara dy banesa, njëra me vlerë 46 mijë euro e tjetra 70 mijë, si dhe garazhën në vlerë 8 mijë euro.

Te kjo kategori ai ka listuar edhe banesën e bashkëshortes në vlerë 39 mijë euro dhe një tokë pune në vlerë 100 mijë euro, që thotë se është në pronësi të përbashkët.

Tek pasuritë e luajtshme, Hamza ka deklaruar veturën e tij 27 mijë euroshe dhe atë të bashkëshortes në vlerë 10 mijë euro.

Vlera e parave të gatshme që ka në banka familja Hamza sillet rreth 10 mijë e 200 euro, prej të cilave 8 mijë e 500 janë të tijat.

Por, Bedri Hamza ka edhe borxhe. Vetëm ai ka detyrime financiare në vlerë 27 mijë euro, derisa gruaja e tij ka borxh në vlerë 25 mijë euro.

Si të hyra vjetore, ai ka deklaruar rreth 35 mijë euro, që thotë se i merr nga Kuvendi dhe një kolegj privat. Kurse bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore mbi 7 mijë euro.

Në fund të deklarimit, Hamza ka treguar edhe se ka tërhequr nga Trusti rreth 10 mijë euro.

JU REKOMANDOJMË