Nxënësit s’po e duan testin e Semi-Maturës, nisin peticion për anulim

Publikuar më:

Një peticion i cili është iniciuar nga persona të cilët janë paraqitur si nxënës të shkollës “Hasan Prishtina”, po synon anulimin e testit të arritshmërisë për klasat e nënta sivjet.


Këtë kërkesë të tyre, këta nxënës e kanë arsyetuar me faktin që më shumë se gjysma e vitit shkollor është zhvilluar online, mësim i cili, sipas tyre, nuk ka qenë cilësor.

“Kërkojmë anulimin e testit të arritshmërisë për klasat e nënta, pasi që më shumë se gjysma e vitit shkollor është zhvilluar online. Ky mësim nuk ka qenë cilësuar, ashtu siç do të ishte në bankat e shkollës”, thuhet në përshkrimin e këtij peticioni, i cili deri tani ka mbledhur më shumë se 5 mijë nënshkrime.

Sipas tyre, jo të gjithë nxënësit kanë pasur mundësinë e pjesëmarrjes në mësim dhe se mësimi në platforma elektronike “nuk shpjegohet e as nuk kuptohet si në klasë”.

“Shumë lëndë janë zhvilluar përmes platformave që ka raste kur edhe nuk kanë punuar fare, pra nuk është shpjeguar asgjë, vetëm janë dhënë temat mësimore. Gjithashtu, edhe në lëndët që janë zhvilluar në ‘Zoom’ ka pasur shkëputje të mëdha, për shkak të mungesës së një interneti cilësor apo minutat e limituar që aplikacioni ofron”, thuhet tutje në peticion.

Ata thonë se mbajtja e këtij testi do të ishte një ngarkesë e madhe psikologjike për ta, sepse thonë se nuk janë në gjendje të japin rezultatin e njëjti, të cilin vlerësojnë se do ta jepnin, sikur procesi mësimor të ishte zhvilluar në klasë.

Ndonëse është iniciuar nga nxënësit në Prishtinë, ky peticion, sipas një sinjalizuesi që është nxënës i një shkolle në Pejë, po përkrahet dhe nënshkruhet edhe nga nxënësit e klasave të nënta të këtij qyteti.

JU REKOMANDOJMË