Me 13 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, ia kishin mësyar fshatit Ashlan, por aty ishin zbrapsur shumë keq.
Ish zv.komandanti Sefer Shyti, përmes një shkrimi ka pasqyruar gjithë aksionin e suksesshëm të njësitit special të UÇK-së atë ditë, shkruan Jepi zë.
Kjo humbje e madhe e forcave serbe kishte bërë që forcat serbe të hakmerren nga popullates civile në tregun e Mitrovicës.
Postimi plotë:
Luftimet që kishin filluar në muajin Shkurt po vazhdonin duke rritur intensitetin nga të dy taborret. Forca goditëse e armikut rritej gjithnjë e më shumë por edhe morali i ushtarëve të UÇK nuk po thyhej në asnjë mënyrë., përkundrazi ata po fitonin përvojë në çdo aksion e betejë.
Nga granatimet e fuqishme forcat armike kishin fituar terren dhe tashmë ishin futur në shtëpitë e para të Ashlanit nga drejtimi i veri-lindjes. Meqë kishte filluar të pakësohej municioni ushtarët tanë filluan ta zbatojnë taktikën e bafasimit të armikut me mjete shpërthyese. Kështu më 13 Mars, Rolandi, i mbështetur nga shokët do të përgatisnin befasinë e parë për mysafirët e padëshiruar. Ata minojnë shitoren e Besim Shytit dhe vet tërhiqen në shtëpinë e Eminit, 350metra tutje nga shitorja, për të parë spektaklin që do zhvillohej.
Vendosja e eksplozivëve dhe bombave befasuese ishte shumë më e lehtë ngase numri i ushtarëve dhe mjeteve armike po shtohej gjithnjë e më shumë. Armiku po lëvizte ngadalë dhe me shumë kujdes. Ata ishin të përgatitur për luftime direkte por jo edhe për befasi. Sapo arrijnë tek shitorja futen brenda saj dhe fillojnë të “shërbehen me pije”. Numri i ushtarëve që ishin grumbulluar te shitorja ishte mjaft i madh. Një tanks po u bënte “mburojë” dhe për një moment brenda shitores shpërthen eksplozivi që ishte vendosur nga djemtë tanë. Në tre-katër sekondat e radhës shpërthen edhe eksplozivi i dytë që ishte jashtë objektit. Një numër prej më shumë se njëzet armiqësh kishte pësuar në këto shpërthime në orët para mesditës së 13 Marsit 1999. Autoambulancat po bartnin pa pushim trupat e ushtarëve armiq.
Meqë “djajtë” nuk po kapeshin e nuk po shiheshin dot, kjo po ua shqetësonte shpirtin armiqëve. Humbjet ishin të paimagjinueshme për ta. Ata nuk e kishin imagjinuar se mund të bien në gracka të tilla. Ata duhej të arsyetonin disi humbjet e tyre dhe të rrisnin adrenalinën në radhët e veta. Shpirtërat ogurzi do shprazin mllefin e tyre në popullatën e pafajshme në tregun e Mitrovicës duke hedhur mjete shpërthyese dhe duke vrarë 6 e plagosur 128 qytetarë të pafajshëm. Kjo ishte mënyra e vetme për të shfryrë mllefin e tyre ndaj asaj që u kishte ndodhur në Ashlan.
Pas përfundimit të luftës babai i Besimit, mësuesi veteran i arsimit, Lutfi Shyti ka pastruar mjetet e mbetura të shitores dhe ka gjetur çizme, pjesë të uniformës serbe, pjesë të kapelave ushtarake dhe gjësende tjera që kishin mbetur nën gërmadha. Unë kam qenë prezent dhe i kam parë me sytë e mi gjithë ato gjësende të gjetura nën gërmadha.