Njeriu që “vodhi” 2 milionët, u punësua në Thesar në kohën kur Ahmet Shala i PDK-së ishte ministër – u avancua gjatë mandatit të Bedri Hamzës

Publikuar më:

Mbi 2 milionë Euro të shtetit janë vjedhur përmes 4 transaksioneve në llogaritë e një kompanie private, “LDA Group SHPK”, që del të jetë e dyshimtë, nga Drenasi. Për ngjarjen që ka ndodhur më 09 tetor 2020 në Thesarin e Shtetit, Polica 11 ditë pas, më 20 tetor 2020, arrestoi të dyshuarin Labinot Gruda, zyrtar në Ministrinë e Financave. Një javë pas, u vetëdorëzua edhe Kadri Shala, pronari i kompanisë ku u derdhen paratë e vjedhura, derisa i dyshuari i tretë Valon Shala ndodhet ende në arrati.


Gruda, që tashmë i janë caktuar 30 ditë paraburgim nga Gjykata, pasi po dyshohet se duke “Keqpërdorur Pozitën apo Autoritetin Zyrtar” kreu transaksionin e vjedhjes mbi milionëshe në Thesar të Shtetit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, u punësua në këtë institucion në prill të vitit 2010.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ zyra për informim e kësaj Ministrie. Sipas tyre “Labinot Gruda ka filluar punën në Ministrin e Financave – Thesar, më 12.04.2010”.

Pozita e tij e parë “Zyrtar i tavolinës ndihmëse në Thesarin e Kosovës”.

Në atë kohë Ministria e Financave funksiononte së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, e që në krye të saj ishte Ahmet Shala i PDK’së, që më vonë u largua nga skena politike për t’u bërë Ambasador i Kosovës në Japoni, por që gjithashtu edhe nga aty papritur u dorëhoq, në vitin 2015, pas tre vitesh shërbimi si diplomat.

Shala si Ministër i Ekonomisë dhe Financave, në të ashtuquajturën Qeveria Thaçi 1, e përbërë nga PDK’ja e LDK’ja shërbeu si Ministër nga janari i 2008’es deri në shkurt të 2011’es, kur u zëvendësua nga bashkëpartiaku i tij Bedri Hamza, i cili drejtoi të njëjtën ministri, në Qeverinë Thaçi 2 e PDK’së me AKR’në e Minoritetet, deri në në dorëheqjen e tij për t’u zgjedhur guvernator i BQK’së.

Bedri Hamza dhe Ahmet Shala gjatë pranim-dorëzimit të detyrës, në vitin 2008
E derisa Bedri Hamza po e linte Ministrinë e Financave, në kuadër të së cilës funksiononte edhe Thesari i Kosovës, për të shkuar në BQK, Labinot Gruda nga Drenasi që sot ndodhet në paraburgim, u avancua në detyrë përmes një konkursi të brendshëm.

Avancimi i Grudës, u bë ani pse i njëjti nuk kishte mbushur ende as 3 vite stazh pune në këtë institucionin. Procedura u krye sa Hamza ishte ende ministër, derisa gjithçka u përmbyll vetëm pak ditë pasi ish-Ministri Hamza e kishte njoftuar dorëheqjen.

“Me 17.12.2012 është shpallë konkurs i brendshëm, sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi, dhe nga data 30.01.2013 është zgjedhur në pozitën: Menaxher i tavolinës ndihmëse”, thuhet në përgjigjen, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, të Muharrem Shahinit, Drejtorit të Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave.

E ketë pozitë të avancuar, Labonot Gruda e kishte pasur edhe në momentin e arrestimit, disa ditë pasi ndodhi vjedhja e 9 tetorit 2020.

Ani pse po del se Gruda është punësuar dhe avancuar gjatë qeverisjeve të PDK’së, partia që aktualisht drejtohet nga Kadri Veseli, e ka mohuar se i njëjti është anëtar i saj. Kjo ka ndodhur në ditën kur ai është arrestuar, javën e shkuar.

Por, Labinot Gruda, nga PDK’ja, – përkrahjen ndaj të cilës nuk ka hezituar ta shfaqë asnjëherë në postimet e tij në facebook, sikur edhe kur kërkonte votën për kryetarin Veseli -, në shkurt të vitit 2018 e kishte përfituar edhe një pozitë të rëndësishme në komunën prej nga ai vjen.

Ai atë vit ishte emëruar si Drejtor për Buxhet e Financa në Komunën e Drenasit që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci, po ashtu i PDK’së.

Për t’ia mundësuar ky angazhim, që nuk i zgjati shumë, pasi siç u tha u largua për arsyeje personale, Gruda e kishte ngrirë pozitën në Ministri të Financave.

Kjo sipas Muharrem Shahinit të kësaj Ministrie ishte bërë “Bazuar ne ligjin për shërbimin civil (Nr. 03/L-149)” që i përcakton shërbyesve civil të drejtën e pezullimit të dakorduar të marrëdhënies së punës në shërbimin civil në raste emërimeve në funksione publike.

“Kjo është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, me 21 shkurt 2018”, tha Shahini të martën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Tutje, ai shtoi se “gjatë kohës sa ka pasur emërimin në Komunën Drenas, pozita e tij ka qenë e pezulluar dhe s’ka pasur asnjë të drejtë as qasje në Thesar, siç e përcakton legjislacioni”.

E më tu liruar nga detyra e drejtorit të Buxhetit dhe Financave në Komunën që udhëhiqet nga Lladrovci i PDK’së, sipas Ministrisë së Financave, ligji ia ka njohur Labinot Grudes të drejtën e kthimit në pozitën e mëparshme.

E kjo kishte ndodhur vetëm disa muaj pasi në krye të kësaj Ministrie ishte kthyer për një mandat tjetër, në kuadër të Qeverisë së njohur si e PAN’it, Bedri Hamza i PDK’së.

Hamza, që sot është shef i grupit parlamentar të PDK’së në Ministri të Financave, si Ministër i saj, u kthye me 9 shtator 2017 deri në Shkurt të vitit 2020, kur u pasua nga Besnik Bislimi i VV’së.

Aktualisht, Ministre e Financave të Kosovës është Hykmete Bajrami e LDK’së, e cila edhe vetë e njoftoi në publik skandalin e vjedhjes se 2 milionëshit.

Pas transferimit të mbi 2 milionë Eurove, që dyshohet se ka kryer Labinot Gruda në fillim të këtij muaji, në llogarinë e kompanisë “LDA Group SHPK”, me seli në Llapushnik të Drenasit, sipas hetimeve të autoriteteve hetuese në vend, paratë janë shpërndarë në dhjetëra llogari tjera individësh e biznesesh të ndryshme.

Kadri Shala, pronar i kësaj kompanie, që të hënën u vetëdorëzua në Polici, pas disa ditë qëndrimi në Turqi, para se të bie në pranga përmes një letre kishte thënë se me ato transaksione ai i kishte larë disa borxhe.

Ndryshe, as Shala nuk doli të mos jetë i pa përfshirë në politikë. Ai rezulton se ka qenë anëtar i NISMA’s së Fatmir Limajt, parti e cila u distancua më pas nga ai. Po ashtu, e bija e tij, ish-kandidatja e NISMA’s për Deputete, Hajrije Gashi, javën që shkoi, shkaku i kësaj vjedhje u shkarkua nga detyra e këshilltares së zëvendëskryeministres që vjen nga e njëjta parti, Albulena Balaj-Halimi.

Nga ana tjetër, Labinot Gruda, gjatë kohës sa ishte drejtor në Komunën e Drenasit, në vitin 2018, në deklarimin e tij të pasurisë kishte njoftuar se ka në pronësi 100% të aksioneve në dy kompani private “Gruda Group sh.p.k.” dhe “n.sh. Accounting & Consulting”. Në të paren ai kishte deklaruar si kapital vetëm 1000 Euro, ndërsa në të dytën zero (0).

Por, ai gjithashtu 30% kishte pohuar të jetë hisedar në një tjetër biznes, “Professional Group sh.p.k.”, që po ashtu kapital ka të deklaruar vetëm 1000 Euro, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

Në deklarimin e tij të pasurisë, Labinot Gruda, pohonte se jeton me qira, dhe nga shteti pagë në Ministri të Financave përfiton 5659 Euro Neto, në vit – 471 Euro në muaj. Derisa, sipas tij, 4891 Euro në vit përfiton bashkëshortja e tij e punësuar në Ministri të Arsimit.

JU REKOMANDOJMË