Djali i familjes Gashi nga Prishtina, të njohur si ‘Capat’, Premtim Gashi, i cili mbeti i vrarë mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri me grupin Sekiraqa, është varrosur sot, raporton Gazeta Sinjali.
Varrimi i tij është bërë në orën 16:00, në varrezat në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Vëllai i tij, Korab Gashi, ka mbetur i plagosur me katër të tjerë, përfshirë Salih Sekiraqën, Robert Llumnicën (29-vjeçar), Fatos Abazin (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademin (21-vjeçar).
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar njoftim zyrtar dhe bëri të ditur se ndaj pesë të plagosurve, të cilët janë tashmë të dyshuar për rastin është lëshuar urdhri për ndalim.
Po ashtu, po zhvillohen hetime për t’i zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në rast.
Tutje, në njoftim thuhet se të plagosurit që po marrin trajtim mjekësor ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
“…pesë të dyshuar kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.”