Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit iu është ngritur aktakuzë për veprën penale “Spiunazhi”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve B.Sh dhe M. Q.
Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndaj të akuzuarve Prokuroria po ashtu ka kërkuar që t’iu vazhdohet masa e paraburgimit, raporton Insajderi.
Dosja e Prokurorisë për të akuzuarit
Gazeta Insajderi kishte raportuar për dosjen e Prokurorisë, në të cilën tregohet se dy të pandehurit në vazhdimësi kanë ndryshuar numrat e telefonit dhe pajisjet telefonike sa herë që kanë telefonuar persona që dyshohet të kenë qenë zyrtarë të BIA’s.
“Të pandehurit, posaçërisht i pandehuri Bedri Shabani, dyshohet së gjatë kryerjes së veprës penale gjatë gjithë kohës ka ndryshuar numrat ë telefonit dhe pajisjet telefonike, ku i ka njoftuar edhe bashkëbiseduesit e tij se po i ndërron numrat e telefonit dhe po i asgjëson ata më qëllimin e vetëm për t’i ikur hetimit, ku nga kjo shihet qartë së ekziston një rrezik potencial që i njëjti ta përsërisë veprën penale. Po ashtu edhe i akuzuari Muharrem Qerimi të cilët dyshohen se kanë të njëjtat kontakte të komunikimit më agjencinë “BIA””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.Kjo është përmendur si rrethanë për mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim, teksa gjykata thotë se ndërlidhësi i ‘BIA’-s nuk ka arritur të arrestohet dhe të dyshuarit mund të vazhdojnë kontaktet me ta.
Në dosjen e Prokurorisë tutje shtohet se komunikimi me zyrtarin e ‘BIA’-s, ku konfirmohen edhe përgjimet e publikuara në media disa ditë më parë për një bisedë të Shabanit se si “gjërat po shkojnë ngadalë” dhe se s’po vepron si duhet.
“…ku në një rast të komunikimit, ky i dyshuar i thotë këtij zyrtari të “BIA” se shumë ngadalë po shkojnë gjërat dhe se nuk po veprojnë ashtu si duhet “BIA” teksa ky ua ka dërguar informatat sa kohë”.
Dosja e Prokurorisë tutje konfirmon se Shabani kishte udhëtuar më herëtpër në Serbi për ta takuar zyrtarin e “BIA”-s.
Në anën tjetër, për Muharrem Qerimin thuhet se gjatë vëzhgimit ka kontaktuar persona që dyshohet t’i ketë shfrytëzuar për sigurimin e informacioneve të caktuara për shpiunazh.
Prokuroria thotë se Qerimi dhe Shabani kanë pasur udhëtime të shpeshta në Serbi, Sarajevë dhe Maqedoni të Veriut, vizita këto për të cilat dyshon se janë shfrytëzuar me qëllim të spiunazhit.