Ngriten dyshime: Agim Bahtiri thuhet se ka blerë 6 hektarë tek Liqeni, aty planifikohet të ndërtohen banesa

Publikuar më:

Hapësira tek Liqeni Akumulues po planifikohet të hapet për ndërtim, duke e përshirë në hartën zonale. Të përfshirë në këtë proces të hartës zonale, është edhe Komuna e Mitrovicës që qeveriset nga Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ani pse Komuna e udhëheqë këtë proces dhe i pari i saj mund të ndikojë, tokat ku pritet të ndërtohen janë vënë në fokus të tij, shkruan “Jepi zë”.

Disa burime i kanë thënë “Jepi zë” se vetë Agim Bahtiri i ka blerë rreth 6 hektarë tokë në këtë zonë. Sipas burimeve, tokat e blera nga Bahtiri janë vënë në emra të disa personave të ndryshëm për të larguar dyshimet.

Sipas tij, Bahtiri i ka blerë tokat për t’i dhënë më pas për ndërtuesit potencialë të banesave, gjë që nënkupton qarkullime të miliona eurove.

“Kryetari Agim Bahtiri ka blerë toka në zonën rreth Liqenit”, ka thënë burimi i sigurt për “Jepi zë”.

Edhe disa fshatarë të asaj zone i kanë thënë gazetës se tokat janë blerë nga disa pronarë, të cilët ata thonë se nuk i njohin se kanë para për t’i blerë. Sipas tyre, ka dicka të dyshimtë meqë aty po planifikohet ndërtimi i banesave.

Ndërkohë, kryetari Agim Bahtiri e ka mohuar këtë gjë, duke i quajtur shpifje fjalët se ka blerë tokë.

Gazeta ka mësuar se në këtë zonë kanë blerë toka edhe disa biznesmenë të tjerë, të cilët planifikojnë ndërtimin në këtë zonë, që do të jetë një nga luksozet në Mitrovicë.

Ndërkohë, duhet theksuar se procesi i Hartave Zonale është akoma në fillim dhe nuk është hedhur në diskutim publik. Ka shumë qytetarë që kanë shprehur shqetësimin për betonimin e kësaj zone, ndërkohë shume të tjerë e kanë mirëpritur urbanizimin e hapësirës tek Liqeni.

JU REKOMANDOJMË