Nga Stanoci me shtëpi në Prishtinë, Xhafer Tahiri merr leje për shtëpi rreth 450 metra katror në kryeqytet

Publikuar më:

Xhafer Tahiri, që për katër vjet e udhëhoqi Vushtrrinë si kryetar komune, nuk po e sheh të arsyeshme të jetojë në komunën për të cilën pretendon se ka kontribuar. Vjen nga Stanoci i Poshtëm, por ka vendosur ta ndërtojë jetën e re larg qytetit që dikur e drejtonte, në periferi të Prishtinës, konkretisht në lagjen Matiqan

Këtë zhvendosje po e lehtëson edhe partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht udhëheq Komunën e Prishtinës përmes Përparim Ramës. Komuna i ka lëshuar një leje ndërtimi Tahirit, i cili mbanë pozitë në kryesinë e LDK-së, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut.

Sipas dokumentit zyrtar që ka parë Demokracia.com, thuhet:

“I. I lejohet pronarëve Xhafer Tahiri dhe Igballe Perquku Tahiri, Matiçan – Prishtinë, sipas kërkesës 05 Nr.351/02-136562/24 të datës 17.10.2024, ndërtimi i shtëpisë individuale të banimit me etazhitet S+P+1, në kuadër të Planit Zhvillimor Urban, konkretisht në parcelën kadastrale nr.214-4, ZK Matiçan.
II. Hartimin e dokumentacionit ndërtimor – projektin ideor për objektin nga pika I e këtij vendimi, e ka bërë kompania ‘LSN+Partners’ Sh.p.k., me seli në Sheshin Edith Durham, H14, nr.6, Prishtinë”.

Bazuar në projektin ideor të paraqitur, sipërfaqja e përgjithshme bruto ndërtimore e shtëpisë do të jetë 449.12 m², prej së cilës 53.91 m² janë nën tokë dhe 395.20 m² mbi tokë.

Struktura e shtëpisë përfshin:

Suterenin (kuota relative -3.00 m, absolute +716.61 m), me 107.83 m² për kthinë teknike dhe depo;
Përdhesën (kuota 0.00 m, absolute +719.61 m), me 183.22 m² për banim;
Katin e parë (kuota relative +3.00 m, absolute +722.61 m), me 158.07 m², gjithashtu për banim.
Pra, sipërfaqja totale mbi tokë është 341.29 m².

 

Parcelën ku do të ndërtojë shtëpinë, Tahiri duket se e ka blerë pas përfundimit të mandatit si kryetar, pasi ajo nuk figuron në deklarimin e pasurisë së vitit 2021, kur ishte ende në detyrë. Në atë dokument, ai kishte deklaruar vetëm një parcelë prej 267 m², të blerë në vitin 2012, pa specifikuar lokacionin.

Gjithashtu, Tahiri kishte deklaruar një shtëpi banimi prej 230 m², përfituar në vitin 2013, si rezultat i shitjes së një banese (të deklaruar në formularët e mëhershëm), dy kredi personale dhe kursimeve. Vlera e deklaruar e kësaj shtëpie ishte 155 mijë euro.

Sa i përket gjendjes financiare, në deklaratën e vitit 2021, ai kishte raportuar rreth 14 mijë euro në llogari bankare në emrin e tij dhe të bashkëshortes, si dhe 3 mijë euro në emër të fëmijëve.

Kostoja e përgjithshme për lejen e ndërtimit ka qenë 4,383 euro, prej të cilave:

2,919 euro për taksën administrative (me çmim prej 6.5 euro për m²),
1,464 euro për tarifën për rritjen e densitetit ndërtimor.
Tash mbetet të shihet nëse ish-kryetari që kontribuoi për Vushtrrinë, do të kontribuojë më shumë për lagjen e re në Prishtinë, ku nuk është më përgjegjës për rrugët, ndriçimin apo infrastrukturën që ndoshta i mungonte qytetit që e la pas.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.