Ora e parë mësimore e së mërkurës në shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Ukrainës.
Sindikata e Arsimit u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të mërkurën e 2 marsit, në orën e parë mësimore, t’i kushtohet Ukrainës, në shenjë solidariteti ndaj tyre dhe dënimit të agresionit rus.
Përmes një njoftimi në Facebook, SBASHK-u shkruan që aktivitetet mund të zhvillohen duke paraqitur flamurin e Kosovë dhe të Ukrainës, “pastaj punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të Ukrainës dhe të shtetit tonë, Kosovës”.
“Një mbështetje e tillë për ne është obligim moral e human, për shkak se kur kemi qenë në situata të tilla ne mësimdhënësit, nxënësit e i tërë populli kosovar, ka pasur organizime të tilla solidariteti për ne nga mësimdhënës e nxënës të shteteve të ndryshme të mbarë botës. Aktivitetet e tilla paraqitni në rrjetet sociale të shkollës apo ato personale e njëkohësisht edhe ne do t’i paraqesim në rrjetet tona sociale dhe do t’iu përcjellim edhe kolegëve tanë në EI, ETUCE dhe Ukrainë”, thuhet në postim.
Ndryshe Ukraina sot ka hyrë në ditën e gjashtë të luftimeve qëkur forcat ruse e kanë sulmuar.