Në ora 21:00 e gjithë Kosova në terr

Publikuar më:

Ora 21:00 e natës së sontme do të jetë e errët. Oda e Profesionistëve Shëndetësor do të ndezë qirinj për t’i nderuar profesionistët shëndetësorë që vdiqën për shkak të infektimit me COVID-19.


Përveç qirinjëve, ata kanë kërkuar edhe nga gjithë qytetarët që në këtë orë për nderim të jetëve të humbura të profesionistëve shëndetësorë të fikin dritat për një minutë heshtje.

“Përmes kësaj komunikate Odat e Profesionistëve Shëndetësor bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore që sot me datë 20 gusht 2020, në orën 21.00 para çdo institucioni shëndetësor të ndizen qirinjtë në nder të profesionistëve shëndetësor, të cilët humbën jetën nga Covid 19, si dhe të shërbejë si mbështetje të profesionistëve shëndetësor të cilët vazhdojnë luftën kundër Covid 19”, thonë ata.

“Njëkohësisht bëhet thirrje edhe për të gjithë popullatën që në orën 21.00 të bashkëngjiten në këtë nderim duke fikur dritat për një minutë heshtje”, thuhet tutje në komunikatën për media.

Ndryshe, gjashtë mjekë kanë vdekur e 225 të tjerë janë infektuar me COVID-19 në Kosovë gjatë gjashtë muajve. Ndërsa prej mbi 900 infermierëve që janë prekur me COVID-19 në Kosovë, 5 prej tyre kanë vdekur, të cilët bashkë me mjekët e çojnë në 11 numrin e profesionistëve shëndetësorë që kanë vdekur si pasojë e COVID-19.

JU REKOMANDOJMË