Në fillim i dha leje, më pas Komuna e Xhafer Tahirit ia ndali punimet pemëshitësit në Vushtrri – ai harxhoi mijëra euro

Publikuar më:

Skaj rrugës magjistrale Vushtrri-Prishtinë, Fitim Pllana shet pemë dhe perime që prej vitesh. Aty ndalen qindra klientë cdo ditë, duke e bërë atë pikë të njohur në qytet.

Por, Fitim Pllana tani ka kritika të mëdha për pushtetin komunal në Vushtrri dhe kryetarin e saj, Xhafer Tahirin.

Pllana po akuzon Komunën e Vushtrrisë se i dha leje për ta ndërtuar një objekt në atë pjesë ku do të shiste pemë, e pak kohë më pas iu ndaluan punimet.

Vetë Pllana ka thënë se Komuna e ka lejuar të ndërtojë, duke potencuar se zyrtarët e Drejtorisë së udhëhequr nga Adnan Lahu, edhe e kishin matur parcelën.

E disa muaj më pas, Fitim Pllanës i shkoi një letër, ku iu tha se nuk mund të vazhdojë punimët, ani pse ai kishte harxhuar mijëra euro në investime. Kjo gjë, e ka shtyrë Pllanën që të reagojë ashpër, duke thënë se pasuria e tij po varroset.

“Krimi ekonomik në qytetin e Vushtrrisë ka emër: Qeveria komunale. S’po mundem, pa shkuajt kur po e shoh që pasurija ime është varrosur”, ka shkruar Pllana në Facebook.

Së fundmi, i njëjti ka dhënë një mesazh në profilin e tij, ku lë të kuptohet se po thumbon udhëheqësinë komunale duke thënë se “nuk nënshtrohem asnjëherë”.

“Do punoj gjithnjë dhe s’do nënshtrohem asnjëherë, kur pa u ndal, as kur bën vapë, acar-borë, sikurse, sot me shi, asnjëherë nuk do lejoj të nëpërkëmbem nga askush, asnjëherë nuk mund të pajtohem me padrejtësit, asesi, nuk më lejon karakteri-ndërgjegjja ime që duke e dëmtuar ndonjëri të fitoj Unë, të ndjehem krenar!”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, Pllana ka potencuar se në Komunë e kanë “qortuar” për publikimet kritike që ka shkruar në Facebook. Për këtë, ai i ka shkruar personalisht edhe drejtorit.

JU REKOMANDOJMË