Ndërtimi i motelit në hyrje të Vushtrrisë me leje të Komunës: Banorët e 3 fshatrave nënshkruajnë peticion, paralajmërojnë edhe protestë

Publikuar më:

Disa godina që janë në ndërtim e sipër, kanë shqetësuar banorët e fshatrave Pestovë, Maxhunaj e Nadakovc, të cilët po konsiderojnë se aktiviteti i paraparë aty është i papranueshëm për ta.

Sipas tyre, është duke u devijuar leja e lëshuar për një depo dhe tani po ndërtohet një motel me shumë dhoma.

Qytetari Sabri Pllana ka reaguar publikisht, duke i publikuar edhe nënshkrimet e peticionit që qytetarët e këtyre fshatrave i kanë dhënë në kundërshtim të lejes për ndërtimin e motelit.

Sipas Pllanës, aktiviteti që pritet të zhvillohet në këto motele, e cënon jetesën e qetë të banorëve të disa fshatrave si dhe punën e bujqve.

“Me datë 01.11.2021 i është dorëzu kryetarit të komunes një peticion i banorëve të fshatrave Pestovë, Maxhunaj, Nadakovc, të shqetësuar nga dukuria që tani po merr formë një leje ndërtimore që është lëshuar për depo po tentohet të tjetërsohet dhe atë me punë intenzive po ndërtohen shtëpi publike”, ka shkruar Sabri Pllana.

Ai ka paralajmëruar edhe protesta dhe bllokim të rrugës në rast se kjo veprimtari fillon se funksionuari.

“Halli i banorëve është që kjo gjë nuk duhet të ndodhë dhe bëjmë thirrje që të ndalohen punimet për kësi lloj veprimtari të pista përndryshe e gjithë Pestova me fshatrat përreth do të jemi të detyruar të ndërrmarim hapa protestë deri në bllokadë të rrugës sepse po na kërcënohet morali dhe dinjiteti apelojmë që mos na e vështirësoni jetën nuk lejojmë turpin të ndodh para fëmijëve tanë”, ka shtuar ai.

Për fund, Pllana në emër të banorëve nënshkrues, ka kërkuar nga kryetari Xhafer Tahiri që të ndalojë punën në këto objekte.

JU REKOMANDOJMË