Mitrovicasi Mustafë Haziri pranon fajësinë për dallavere në zgjedhjet parlamentare

Publikuar më:

I akuzuari Mustafë Haziri ka pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Deklarimin rreth fajësisë për veprën penale që i vihet në barrë, i akuzuari Haziri e bëri në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, i akuzuari tha se nuk ka nevojë për të angazhuar mbrojtës, ndërsa më pas pranoi fajësinë dhe tha se është penduar për veprën e kryer.

Tutje, prokurorja Bajrami konstatoi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, sepse është bërë në mënyrë vullnetare dhe pa imponime, pasi i njëjti ka kuptuar pasojat dhe përgjegjësitë e pranimit të fajësisë dhe se pranimi i fajësisë mbështetet edhe në të gjitha provat materiale të shkresave të lëndës.

Më pas, pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Haziri, u aprovua edhe nga gjyqtari i rastit, Sinisha Mandushiq.

Gjyqtari Mandushiq bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet nesër (9 shkurt).

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë thuhet se i akuzuari Mustafë Haziri, më 11 qershor 2017, në Mitrovicë, në shkollën fillore “Avdullah Shabani”, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të vendvotimit në qendrën e votimit 1102X, vendvotimi me nr. 1102X/06R, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare apo autoritetin zyrtar në lidhje me zgjedhjet, ka shtuar dhe hequr votat.

Aktakuza thotë se pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, është bërë krahasimi i të dhënave ku është identifikuar ndryshimi i votave, ashtu që gjatë numërimit të votave të kandidatëve brenda subjektit politik, ka hequr votat e disa kandidatëve dhe i ka shtuar të disa kandidatëve të tjerë, duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 107 vota, ku prej tyre 101 vota të shtuara dhe 6 vota të hequra.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti që ka shtuar 13 vota për PDK, një votë për Gradanska Iniciative Gore, 38 vota për LDK, tri vota për Pokret za Gore, një votë për KDTP dhe 45 vota për LVV, ndërsa ka i hequr tri vota të PDK-së, një votë të LDK-së dhe dy vota të LVV-së,

Me këtë, akuzohet ka kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219, paragrafi 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej tre deri në pesë vjet.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.