Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, jep arsyet e tij se pse duhet të rinovohet shtëpia e Xhafer Devës, ndonëse Ambasada gjermane po e kundërshton. Në një shkrim të gjatë, ministri thotë se objekti në Mitrovicë jo domosdo duhet të lidhet vetëm me emrin e politikanit aktiv gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Një kundërshtim i Ambasadës gjermane për ta rinovuar shtëpinë e Xhafer Devës, i shprehur në formë shqetësimi, hapi debat mbi figurën e politikanit, që konsiderohet bashkëpunëtor e nazistëve gjermanë.
Ka qëndrime të ndryshme se a duhet të vlerësohet roli i Devës në histori, e këtu u përfshi edhe ambasada gjermane në Prishtinë. Për krejt këto ka një shpjegim ministri i Kulturës.
Çeku beson se nuk duhet të lidhet domosdoshmërish fati i objektit që është pronë shtetërore, me emrin e një figure të përveçme të historisë.
“Monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne europiane”, ka shkruar ministri në Facebook.
Sipas Çekut, edhe pse objekti njihet si shtëpia e Xhafer Devës, ajo i ka shërbyer shumë herë publikes, duke qenë një kohë edhe shtëpi e shëndëtit. Rol të ngjashëm, thotë ministri, shtëpia do të ketë edhe pas restaurimit.
“Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore. Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit”, thuhet në postimin e Çekut në Facebook.
Çeku shton se nuk ka lidhje vetëm me emrin e Xhafer Devës dhe se nuk është e thënë që gjithsesi ta mbajë këtë emër e të njihet si shtëpia e politikanit nga Mitrovica.
“Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndesishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët”, shkruan ministri.
“Në listën e mbrojtjes ka shumë monumente që mbajnë emra të sulltanëve e pashallarëve, mbretërve e shenjtorëve, familjeve me shtëpi tradicionale e atyre me kullë, prijësve politik, ushtarak e fetar. Secili histori më vete, në kohë e regjime të ndryshme, mundësi e vullnete të diskutueshme. E përbashkëta e gjithë këtyre? Dëshmitë materiale të së kaluarës, ose ajo që quhet trashëgimia kulturore e Kosovës”, thuhet tutje në shkrimin e tij.