Minierat duhet t’i udhëheqin dhe t’i menaxhojnë profesionistët

Publikuar më:

“Minierat e mbajnë shtetin kudo në botë. Te ne ndodhë e kundërta! Miniera e Stan Tërgut i ka prodhuar (nxjerrë) mesatarisht mbi 600 mijë tonelata xehe brenda një viti. Këtë e tregojnë dhe e dëshmojnë minatorët që në vitet e tetëdhjeta derdhën djersë dhe mund për këto tonelata xehesh dhe që janë ende në jetë. Por këta njerëz, asnjëherë në këto vite nuk i ka pyetur askush dhe për asgjë rreth minierave dhe punës në to”, shprehet i rezignuar, Shaip Latifi, një inxhinier veteran i xehetarisë, kaherë në pension, në një bisedë për Buletinin Ekonomik.

Mehmet GJATA
Gjendja e minierave të Kosovës, edhe të atyre të plumb-zinkut, por edhe të tjerave, praktikisht që nga paslufta, është zhgënjyese, madje tronditëse. Shumica prej minerave të plumb-zinkut, dikur krenaria e Kosovës, tash e 23 vjet janë të përmbytura nga uji, jashtë funksionit po se po, por edhe me stabilimente dhe makineri të ekspozuara ndaj brejtjes së motit, ujit që i ka vërshuar në të gjitha horizontet dhe korezionit në përmasa tani të pariparueshme.

Në veçanti, në gjendje të vështirë tashmë gjenden minierat e Kompleksit Kishnica (Miniera e Badovcit, e Hajvalisë po edhe e Artanës).

Miniera e Hajvalisë, ta zëmë, nuk punon që nga paslufta për shkaqe shumë të pakuptimta. Për shkak të mungesës së një pompe për pompimin e ujit që ka përmbytur horizontet e kësaj xeheroreje, me përmbajtjen e metalit në xehe ndër më të lartat në rajon dhe më gjerë, madje edhe mbi 9,5 për qind metal në xehe, kjo minierë është nën dry tash e 23 vjet.

Për ditë e më shumë është duke iu nënshtruar dëmtimit të madh të kohës dhe përmbytjes nga uji dhe përditë e më shumë, siç thonë inxhinierët në Kishnicë, makineria dhe stabilimentet, janë duke u dëmtuar në përmasa të pariparueshme. Madje, sipas tyre, tashmë dëmtimi i stabilimenteve ka gjasë të ketë arritur kulmin dhe ky dëmtim t’i ketë bërë ato të pariparueshme dhe të papërdorshme, edhe nëse ndonjë ditë në të ardhmen zbrazet uji nga horizontet e Minierës së Hajvalisë dhe po qe se do të aftësohej ndonjëherë kjo minierë.

Pak a shumë, po për të njëjtat shkaqe, për një pompë të munguar, që menjëherë pas luftës ka kushtuar më së shumti 30-50 euro, që nga paslufta janë jashtë funksionit edhe Miniera e Kishnicës, ajo e Badovcit dhe pjesërisht ajo e Artanës. Shkaku del të jetë fare i pakuptimtë, pasi që, siç rrëfejnë ish-xehetarë të kësaj minere, pompa, aq e domosdoshme nuk është siguruar kurrë nga asnjë qeveri e deritashme dhe nga asnjë institucion tjetër kompetentë, sado që çmimi i saj bëhet e ditur të ketë qenë rreth 30 mijë euro.

Ky është përshkrimi sipërfaqësor i përgjithshëm i minierave të Kosovës, të cilat dikur ishin ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit me të hyrat e realizuara, me numër të madh të të punësuarve dhe me të mirat e tjera që i sillnin popullatës sonë.

Ndërsa, përshkrimi më konkret do të ishte pak a shumë ky: Sot në mbarë vendin punojnë me kapacitete jo të plota, të përgjysmuara vetëm 4 xeherore të plumbit dhe Zinkut: Stan Tërgu, Artana dhe xeheroret Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë). Statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv.

Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, e Badovcit, ajo e Kishnicës. Ndërkohë, dihet që nuk punon kaherë Deva, Karaqeva, Minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë.

Buletini Ekonomik ka kërkuar përgjigje për shkakun e kësaj gjendje nga inxhinierët akoma në procesin e punës, por edhe nga ish-inxhinierët dhe kuadro udhëheqëse të këtyre minierave, tashmë goxha kohë të pensionuar.

Njëri prej tyre, Shaip Latifi, tashmë një inxhinier i moshuar dhe në pension, por që një shekull pune e ka kaluar në minerat e kompleksit Kishnica, qoftë si inxhinier, qoftë si kuadër udhëheqës, dhe akoma një njohës i mirë i zhvillimeve në minierat e Kosovës, i emocionuar dhe jo pak i tronditur me gjendjen katastrofike të minierave kosovare ka vu në spikamë dhe ka komentuar shkaqet e gjendjes së mjerueshme në minierat tona, e sidomos të gjendjes në Minierat e zingjirit të kompleksit Kishnica (Badovcit, Hajvalisë po edhe të Artanës).

Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e Buletinit Ekonomik se pse pamjet e këtyre minierave tona, dikur krenaria e vendit, tashmë të shpërfytyruara, të degraduara frikshëm dhe të katandisura në përmasa të llahtarshme, shikohen nga institucionet kompetente dhe vendimmarrëse me kaq inferioritet, më konkretisht, pse zyrtarët në të gjitha pushtetet paslufte, as këta të fundit, nuk e kthyen kurrë vëmendjen kah minierat që u bënë vite e vite që janë jashtë funskionit;- përdorë anekdota, jo pak cinizëm dhe metafora.

Ai e fillon përgjigjen me një anekdotë: Gjatë vizitës së një grupi turistësh në Njujork, kustosi po u shpjegon turistëve për objektet më markante historinë e ndërtimit me specifikat e tyre dhe kohëzgjatjen e ndërtimit! Një nga turistët pyet për sa kohë rrënohet objekti në fjalë, ndërsa kustosi i përgjigjet se gjatë karrerës së tij 30-vjeçare, këso pyetjesh nuk i ka rastisë të dëgjojë ndonjëherë. Doli që parashtruesi i pyetjes të ishte shqiptar.

“Pa pretenduar në asnjë mënyrë të përgjithësojë, ke boll sinjale dhe shkase për të parë se për të rrënuar jemi goxha të prirur dhe goxha të pa krahasueshëm! “, thotë inxhinieri veteran e minierave të Kosovës, duke aluduar te shkatërrimi i minerave në këtë periudhë.

Ai me jo pak cinizëm, thotë se po të më pyeste dikush se cilët kuadro duhet t’i udhëheqin minierat, se pari isha përgjigjur se kush nuk duhet t’i udhêheqë këto miniera.

Dhe përgjigja ime, thotë Shaip Latifi, do të ishte: “këta që janë të emëruar, apo caktuar që t’i udhëheqin minierat në këto vitet e pasluftës, hiq ndonjë rast dhe kuadër që meriton respekt”.

”Rezultatet katastrofike në minerat tona në këto vite e tregojnë këtë”, thotë Latifi, duke akceptuar se “Trepça nuk egziston më, se pas emrit Trepça qëndrojnë insinuatat ma shkatërrimtare për Kosovën! Minierat mund të punojnē edhe pa emrin Trepça!”

“Për Trepçën, vetëm për pjesën Jugore të saj, ringjalljen e kësaj miniere, janë harxhuar mbi 140 milionë euro të shtetit të Kosovës. Minierat në Leposaviq, vetfinancohen, kurse pjesa që praktikisht menaxhohet nga shteti i Kosovës merr para pa kufizim nga shteti!Dhe, po del që këto para, investime pra, për ringjalljen e Trepçës, pjesës që menaxhohet nga ne, thuaja janë pa asnjë efekt dhe të shpenzuara koti, deri më tash”, shprehet i rezignuar Latifi.

“Minierat e mbajnë shtetin kudo në botë. Te ne ndodhë e kundërta! Miniera e Stan-Tërgut i ka prodhuar (nxjerrë) mesatarisht mbi 600 mijë tonelata xehe brenda një viti. Këtë e tregojnë dhe e dëshmojnë minatorët që për vite të tëra në atë periudhë derdhën djersë dhe mund për këto tonelata xehesh në vitet e tetëdhjeta dhe që janë ende në jetë. E dëshmon edhe minatori Ibush Januzi, akoma i fortë dhe që e ka udhë minierën. Por këta njerëz, asnjëherë në këto vite nuk i ka pyetur askush dhe për asgjë rreth minierave, punës në to” vazhdon të rrëfehet Shaip Latifi, duke shtruar shumë Pse-he.

Latifi në përgjigjet për Buletinin Ekonomik këmbëngulë që “minierat duhet të udhëheqen nga njerëz që janë të fushës edhe me përvojë dhe që kanë dëshmuar shkathtësinë e tyre me rezultate të arritura konkerte. Nga njerëz që certifikojnë aftësinë e tyre!

“Këta sot nuk janë në miniera”, thotë Latifi duke shtuar se “me praktikantë nuk ecën prodhimi në miniera”. Sipas tij, minierat e Kosovës mund të aktivizohen vetëm me njerëz të profesionit që Kosova i ka, por fatkeqësisht, si ka pyetur askush.

“Në minierat e Kosovës, në shumicën e tyre, janë angazhuar dhe kanë zënë vende menaxheriale manipulantët dhe ata e kanë krijuar krijuar klimën, që i bie politikën dhe strategjinë e udhheqjes së minierave. Në këtë mënyrë, njerëzit e profesionit, të dijshëm dhe të shkathët, nuk kanë pasur mundësi të afrohen nga bllokadat e tyre! Ose, edhe ata profesionistë që, disi kanë arritur të jenë pjesë e stafit të minerave, në mënyra të ndryshme manipulative iu është pamundësuar veprimi”, vazhdon të shpërfaqë pikëpamjet e tij Shaip Latifi.

Veterani i xehetarisë kosovare thotë tutje se “minierat kërkojnë kapital e përkujdesje të fortë nga ligji duke ua mundësuar operatorëve që të veprojnë në përputhshmëri me ligjet e tregut dhe të mbikëqyren nga ligji! Në këtë mënyrë do të ringjalleshin minierat tona, ndërsa në këtë gjendjen si janë, në vendnumro, nuk ka zgjidhje. Sepse edhe një milion të shumëzohet me zero, rezultati është zero! Ka pasur ca shanse duke ua mundësuar njerëzve me përvojë realizimin e punëve në funksionomin e minierave, por, jo nga ata që synojnë dhe mendojnë vetëm si t’i mbushin xhepat e vet!”

Shaip Latifi shton se në minierë, pa drejtësi sociale, ose pa konditat e përmbushura që xehetari ta ndiejë vetveten edhe shpirtërisht të lidhur me minierë, punë të efektshme dhe rezultative nuk ka. Rezultatetsipas tij, arrihen në xehetari kur minatorët kanë kushte edhe financiare për mirëqenie solide, por domosdo edhe kur udhëhiqen nga ekspertët e vertetë, e jo nga manipuluesit, të pajisur me plotë letra, edhe me të ashtuquajturat diploma, të marra në mënyra fare të dyshimta.

Duke u përgjigjur në pyetjen e Buletinit Ekonomik se si e vlerëson ai punën hulumtuese në minierat ekzistuese dhe për zbulimin eventual të ndonjë brezi të ri minerar në Kosovë, thjesht, a janë duke u bërë hulumtime xehesh, apo edhe në këtë plan ka ngecje evidente, Shaip Latifi tha se “ka jo pak firma që kanë fituar licenca hulumtimi, por, minerali i prezentuar si i gjetur nga to, nuk ka vlera të pasurimit të shpejtë ekonomik, andaj tentohet të valorizohen me vlera të rritura përmbajtjeje të mineralit, ose ndodhë edhe të posa-licensuarit edhe t’i shfrytëzojnë rezultatet e bëra më parë nga sektorët e hulumtimit të minerave të Kosovës e t’i shesin-tregtojnë ato!

“Tregtia me licenca”, thotë Latifi.

Fare në fund ai thotë se për të bërë ndonjë hap më konkret dhe më rezultativ për t’i ringjallur minierat e plumb-zinkut që janë jashtë funksionit, duhet përzgjedhur dhe angazhuar njerëz të dëshmuar përkatës të profesionit, të kihen më në konsideratë përvojat shumëvjeçare të mira, si ato që për vitet të tëra e kanë bërë Trepçën të njohur dhe me famë.

Është e nevojshme, madje e domosdoshme edhe angazhimi i kapitalit të jashtëm qoftë nëpërmjet kreditimit me kushte të buta, qoftë në partneritet, apo edhe në aksione të përbashkëta në ringjalljen e minerave të përmbytytura dhe jashtë funskionit. Ringjallje, pra do të bëhej vetëm me punë të përkushtuar, me seriozitet menaxherial, me shkathëtësi dhe dije profesioniste të kuadrit në miniera. Kjo është zgjidhja, thotë Latifi dhe kjo, sipas tij, nuk është e pamundur të bëhet. Në këtë kuptim, ekzistojnë edhe gjasat që të tejkalohet kjo gjendje e mjerueshme dhe e alarmueshme në Kishnicë, Hajvali, në Minerën e Badovcit, po edhe të Artanës dhe Stan Tërgut, të cilat janë vetëm pjesërisht në funksion. /Buletini Ekonomik/

JU REKOMANDOJMË