Miniera Trepça në rrezik, obligimet gati gjysmë milioni e bllokojnë kompaninë

Publikuar më:

Miniera “Trepça” po përballet me një krizë të rëndë financiare si pasojë e bllokadave përmbarimore të iniciuara nga punonjësit e saj. Sipas një njoftimi zyrtar nga kompania, këto bllokada kanë ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e situatës financiare, duke e bërë të pamundur pagesën e pagave për muajin shkurt dhe përmbushjen e detyrimeve tjera.

Aktualisht, shuma totale që duhet të paguhet arrin në 475,498 euro, ku përfshihen obligimet ndaj punonjësve (347,047 euro), shpenzimet përmbarimore (37,299 euro) dhe shpenzimet për avokatë (91,152 euro).

Kjo shumë përbën mbi 50% të fondit mujor të pagave të “Trepça” Sh.A., duke e vështirësuar më tej menaxhimin financiar të ndërmarrjes dhe duke rrezikuar operimin e saj të mëtejshëm, shkruan Jepi zë.

Në njoftim, kompania pranon se të ardhurat nga eksporti dhe qiradhënia nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, veçanërisht për njësitë që për një kohë të gjatë nuk kanë gjeneruar të hyra. Për këtë arsye, “Trepça” kërkon një zgjidhje urgjente për të garantuar stabilitetin financiar dhe operativ.

Për të shmangur kolapsin, menaxhmenti i “Trepça” u ka bërë thirrje punonjësve të përfshirë që të paraqiten për arritjen e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar se në të kundërtën, rrezikohet likuiditeti i ndërmarrjes dhe funksionimi i saj në të ardhmen.

JU REKOMANDOJMË