​Lajmi i fundit: Të enjten betohen kryetarët e tri komunave veriore

Publikuar më:

Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan pritet të betohen të enjten në orën 10:00, në objektet publike të komunave dhe jo tek asambletë komunale.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ndërsa nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i thanë KosovaPress-it se gjatë ditës së sotme do të dalin me një njoftim zyrtar në lidhje përcaktimin e datës për betimin e tre kryetarëve në komunat veriore.

“Me kërkesë të MAPL-së është caktuar data 25 maj për betimin e kryetarëve në tre komunat veriore në objektet publike të komunave”, tha sekretari Gjoshi për KosovaPress.

Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri nga radhët e PDK-së, pritet të betohen si kryetar i Zveçanit, respektivisht Zubin Potokut, kurse Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të betohet si kryetar i Leposaviqit.

Ndërkaq, të premten e javës së kaluar, Erden Atiq është betuar si kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin zgjedhor.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.