Në Mitrovicën e Veriut, autoritetet kosovare kanë mbyllur sot Drejtorinë për Urbanizëm, një institucion që funksiononte në sistemin e Republikës së Serbisë.
Lajmi u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, shkruan Jepi zë.
Elshani deklaroi se mbyllja erdhi pas një verifikimi të informacionit se brenda këtij objekti mund të zhvilloheshin aktivitete të paligjshme. Pas inspektimit, u kontaktua prokurori kompetent, dhe me urdhër të tij, u konfiskua i gjithë inventari i institucionit.
Dy persona janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa nuk është raportuar për arrestime. Aktualisht, objekti është nën kontrollin e Policisë së Kosovës.
“Asnjë person nuk është arrestuar, por gjithçka është konfiskuar për shkak të dyshimeve për veprimtari të strukturave paralele,” tha Elshani.
📷Kossev