Kurti premton kthimin e mërgatës, ndërsa kaq mijë vetë i ikën Kosovës vetëm për dy vite

Publikuar më:

Ikja e kosovarëve po vazhdon. Në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave, saktësisht 42 mijë persona kanë lënë Kosovën. Apo 117 qytetarë në ditë. Numri i ikjeve të qytetarëve pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme pasi që me 1 janar 2024 kosovarët do të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Por edhe pse trendet janë negative, kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot tha se synon diçka të paimagjinushme, që t’a rikthejë mërgatën në vendlindje. A mund të ndodhë një gjë e tillë?

 

Me anë të një video në Instagram, Kryeministri Kurti, ka thënë se rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës, shtimin e energjisë dhe ngritjen e arsimit.

Agjencia e Statistikave

Trendi i ikjës së qytetarëve nuk u ndalë as pas fitores së Vetëvendosjes dhe ndryshimeve të mëdha politike që ndodhën në Kosovë.

Sipas Agjencisë së statistikave, numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë, duke përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.

Pra, duke u bazuar në këtë statistikë, përgjatë vitit 2021, mbi 3500 qytetarë e kanë lëshuar vendin brenda një muaji, apo rreth 117 qytetarë janë larguar çdo ditë nga Kosova.

Në bazë të këtij institucioni, pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legalë për motive të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi të punës dhe shpërnguljes së përhershme.

Opozita

Një muaj më parë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, mbi 107 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova.

“Mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për një jetë më të mirë, mesatarisht mbi 1000 qytetarë në javë. Gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë ikën nga Kosova, jo si turistë por si mërgimtarë që humbën shpresën në perspektivën që mundet me e ofru shteti ynë. Nga çdo kategori sociale. Vendi ynë po shpopullohet dhe familja jonë po zvogëlohet. Ky migrim i paprecedent tregon se sa të kënaqur janë njerëzit me qeverisjen tane”, u shpreh Krasniqi në seancën e Kuvendit, me 6 prill.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar sot, për videon e Kryeministrit Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hamiti, ka thënë se kryeministri po flet për kthimin e mërgatës, ndërsa vetëm gjatë qeverisjes së tij kanë ikur 100 mijë qytetarë nga Kosova.

“‘Rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës’, paska thënë kryeministri Kurti sot në një video. I buzëqeshur, i vetëkënaqur, kryeministri e thoshte këtë ndërsa në dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së tij të ‘shpresës’, mbi 100.000 kosovarë të zhgënjyer e kanë braktisur vendin dhe e kanë rrritur mërgatën që Kurti thotë se do ta kthejë. Ikja e kosovarëve nga vendi “është diçka normale”, thoshte para 10 ditësh zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi. Kjo Qeveri e Kosovës po i përzë qytetarët e Kosovës, po e rrit mërgatën tonë, me synimin për ta kthyer mërgatën! A s’është absurde kjo?”, ka shkruar Hamiti.

Sipas tij, kjo Qeveri po e katandis Kosovën çdo ditë e më keq.

“Qeveria e Albin Kurtit po i përbuz qytetarët e Kosovës, po ua mbyt shpresën dhe po ua fyen inteligjencën. Katandisja e Kosovës nuk ndalet pa shkuar kjo Qeveri. Natyrisht, kjo është në dorën e qytetarëve të Kosovës, e atyre që e kanë votuar dhe e atyre që s’e kanë votuar këtë Qeveri demagogësh”, ka shkruar Hamiti.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka drejtuar një numër të madh të akuzave ndaj Qeverisë Kurti, pikërisht për çështjen e ikeve së qytetarëve.

Ajo ka thënë se kjo qeveria nuk po bën asgjë për ta ndalur ndaljen e ikjen e profesionisteve shëndetësor, mësuesve dhe punëtorëve të administratës.

“Po ikin profesionistët shëndetësor, mësuesit, punëtorët e administratës, të gjithë ata që me kontrata në sektorin publik më herët ndjehëshin të sigurt, merrnin kredi dhe e planifikonin jetën në Kosovë”, ka shkruar ajo. /Nacionale

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.