Kryeministri Kurti kujton policin ukrainas që u vra në Mitrovicë

Publikuar më:

Kyeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 14-vjetorin e vdekjes së policit ukrainas, Ihor Kinal në Veri, i cili shërbente në kuadër të UNMIK-ut.

Kinal kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë aksionit në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale, të cilat i kishin uzurpuar protestuesit e armatosur serbë.

“Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Me 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se i ndjeri ka lënë pas nënën, babain dhe motrën, dhe se varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës.

“Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, ka njoftuar Kurti.

Rasti i vdekjes së këtij polici më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi.

“Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus”, ka përfunduar Kurti.

JU REKOMANDOJMË