Komuna e Skënderajt ka filluar të shqiptoj gjoba për marketet që po mashtrojnë me çmimet e produkteve.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura sot ka njoftuar se një market është gjobitur me 1 mijë euro pasi ka shitur një litër vaj me çmim 3,49 euro, shkruan Jepi zë.
Nura ka thënë se secili që perifton në mënyrë të pandershme do të gjobitet.
Postimi i plotë:
Gjobë për secilin që provon të përfitojë në mënyrë të pandershme!
Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti, luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimor dhe jo ushqimor kanë lëvizje të çmimeve.
Nuk do të lejojmë të shfrytëzohet rasti për përfitim të paligjshëm, siç është rasti i sotëm në një prej qendrave tregtare, ku 1 litër vaj është shitur me çmim prej 3.49 euro, pavarësisht çmimit shumë më të lirë të furnizimit.
Zero tolerancë për abuzuesit!