Kompania serbe e lidhur me Milan Radojicicin dhe që po ndërton “Luginën e Diellit”, dënohet 40 mijë euro nga shteti i Kosovës

Publikuar më:

Në komunën veriore të Kosovës, Zvecan, është shtrirë një lagje e madhe me dhjetëra shtëpi në qindra hektarë. Ky projekt financohet nga Qeveria e Serbisë, e tenderin për ndërtimin e saj e ka fituar kompania “RAD”.


Për këtë lagje pati reagime të shumta, sidomos nga opozita, që kërkonin nga Qeveria të ndërhyjë pasi konsideronin se po bëhet kolonizimi i veriut. Shteti heshti. Mirëpo, ai nuk heshti ndaj kompanisë që ka marrë tenderin për këtë projekt, shkruan Reporteri.net.

Ndonëse asgjë në lidhje me projektin e famshëm, kompania serbe “RAD” është dënuar me 40 mijë euro gjobë në prill të këtij viti.

Sipas dokumentit që ka siguruar Reporteri.net, kompania ka shkelur të drejtat e punëtorëve në disa raste, duke marrë disa gjoba njëkohësisht, që në total arrijnë shumën e lartëcekur.

Por, kompanisë që është në pronësi të Radule Stevic, mikut të të fortit të veriut, Milan Radojicic, nuk i shkoi në mendje ta paguajë. Ata injoruan vendimin e institucioneve të Kosovës.

Për këtë, Inspektorati i Punës e ka dërguar këtë lëndë tek Përmbaruesi privat në gusht, duke mundësuar bllokimin e llogarive të kësaj kompanie derisa paratë e gjobës të derdhen në llogarinë e shtetit të Kosovës.

Lidhur me këtë temë, gazeta ka biseduar me Inspektoratin e Punës, të cilët kanë konfirmuar këtë gjë dhe kanë thënë se janë të vendosur që të vendosin rregull edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Duhet theksuar se kompania “RAD” është më e famshmja në veri të vendit. Ajo merr të gjithë tenderët në institucionet e Kosovës që qeverisën nga serbët, por edhe projektet që vijnë nga Qeveria e Serbisë. Krejt kjo falë lidhjeve me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojicic, që njihet si “baba i veriut”.

Për lidhjet e kësaj kompanie me Radojicicin dhe zyrtarët e tjerë serbë të veriut, tregon edhe një raportim i revistës serbe “NIN”.

“Edhe pse sipas të gjitha parametrave, Kosova mbetet prapa Ballkanit Perëndimor në aspektin e zhvillimit ekonomik, për një kompani ndërtimore nga Zveçani, duket sikur të ketë ardhur epoka e artë. A është sekreti i suksesit të saj  në marrëdhëniet e pronarit të saj zyrtar me shefin jozyrtar të veriut të Kosovës, Milan Radoiçiq, nënkryetarin e Listës Serbe dhe presidentin e sapozgjedhur të Shoqatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë?”, thonë ata.

Sidoqoftë, ndonëse i kërkuar nga shteti i Kosovës si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radojicic vazhdon ta kontrollojë në tërësi politikën dhe biznesin në veri. Ai konsiderohet si njeriu kryesor i kontrabandës në atë pjesë të vendit.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.