Kompania “Bageri” dënohet me 8.500 euro për vdekjen e punëtorit, që e kishte quajtur “vetaksident”

Publikuar më:

Inspektorati Qendror i Punës e ka dënuar kompaninë “Bageri”, me pronar Bujar Shabanin, me gjithsej 8.500 euro. IQP-ja e ka dënuar kompaninë për vdekjen e punëtorit Riza Hasani, ngjarje që “Bageri” e kishte cilësuar “vetaksident tragjik”. Ndonëse e mirëpritën këtë vendim, familjarët e punëtorit, që e humbi jetën më 11 korrik të këtij viti, thonë se dënimi nuk e ngjall punëtorin Hasani.

Në vendimin e siguruar nga Nacionale, IQP-ja i ka treguar krejt masat ndëshkimore që ia ka shqiptuar kompanisë “Bageri”,e cila ka fituar goxha tenderë gjatë viteve të fundit, disa prej të cilave me negocim, procedurë e kritikuar gjerësisht.

“Gjithsej i shqiptohet gjobë në lartësi prej: Tetë mijë e pesëqind euro (8.500). Punëdhënësi N.P.Sh. “Bageri” është i obliguar që pagesën e dënimit ta bëjë në afat prej tridhjetë ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi” – thuhet në dokumentin e IQP-së.

Tutje, inspektorati ka treguar se punëdhënësi, pra “Bageri”, nuk e ka prezantuar certifikatën shëndetësore për Hasanin, punëtorin tashmë të ndjerë. Po ashtu, “Bageri” nuk e kishte njoftuar IQP-në me rastin e vdekjes së punëtorit në vendin e punës, përkundër që kjo është e obligueshme ligjërisht.

“Punëdhënësi nuk ka prezantuar dhe nuk posedon certifikatën shëndetësore për të punësuarin e aksidentuar – Riza Hasani dhe në rastin konkret me Raportin Zyrtar nr. 278 të datës 21.08.2024 është konstatuar shkelje e dispozitës ligjore nenit 13 paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 i ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë” – thuhet në vendim.

Inspektorati Qendror i Punës ka gjetur edhe disa parregullsi, përfshirë mosprezantimin e trajnimit të “të punësuarit nga siguria dhe shëndeti në punë për pozitë të punës” dhe mosposedimin e dokumentit për hartimin e “vlerësimit të rrezikut për vendet e punës nga kompanitë e licencuara”.

Nacionale e ka kontaktuar familjen e punëtorit Riza Hasani. Në një përgjigje për mediumin tonë, Valon Hasani tha se “dënimi as nuk ma çon vëllain tim”.

“Çka të them, dënimi as nuk ma çon vëllain tim. Po të ishte kompania në rregull, nuk do të kishte ardhur deri te aksidenti. Po të kishin më shumë kontrolle nga institucionet e shtetit, besoj nuk do të kishte viktima, por gjithsesi dënimi tregon parregullsitë e kompanisë, neglizhencën e policisë dhe prokurorisë për hetim të rastit” – tha Hasani.

Në ditën kur kishte ndodhur rasti i vdekjes së Riza Hasanit, “Bageri” e kishte cilësuar vdekjen si “vetaksiden tragjik” dhe e kishte mbyllur për tri ditë kompaninë “për ta nderuar kujtimin e tij”.

“Me pikëllim ju njoftojmë se kolegu ynë

Rizah Hasani u nda nga jeta në një vetaksident tragjik me kamion. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

Kompania do të mbyllet për tre ditë për të nderuar kujtimin e tij dhe për të marrë pjesë në homazhe” – thuhej në reagimin e “Bagerit”.

JU REKOMANDOJMË