Komisioneri i LDK në Vushtrri vjedh vota për Xhafer Tahirin, prokuroria nis hetimet

Publikuar më:

Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet për dyshime mbi keqpërdorimin e votave në Vushtrri.

Burime të Gazetës Infokus bëjnë të ditur se është raportuar një komisioner i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndaj të cilit ka dyshime se ka manipuluar votat gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatë.

Për këto dyshime janë informuar edhe kandidatët e LDK-së nga kjo zonë, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe kanë quar ankesat edhe në PZAP.

Sipas burimeve, komisioneri në fjalë është Betim Grabanica, njëherësh sekretar i degës së LDK-së në Vushtrri. Ai dyshohet se ka manipuluar votat në favor të kandidatit të partisë, Xhafer Tahiri.

Një nga kandidatët e informuar për rastin ka deklaruar për Gazetën Infokus se janë të shqetësuar me këto informata.

“Na kanë njoftuar se i njëjti, për dy ditë radhazi, ka mbajtur dy ndërrime. Sot, pasi organet e drejtësisë ishin informuar dhe një hetues nga prokuroria kishte shkuar në Qendrën e Numërimit të Votave, ai ishte larguar duke u arsyetuar se kishte një familjar të sëmurë”, ka thënë ky burim.

I njëjti burim pretendon se, pavarësisht se Grabanica është anëtar i LDK-së dhe sekretar i degës, ai ka afersi edhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

Tashme hetimet për këtë rast po bëhen nga organet kompetente.

JU REKOMANDOJMË