Jo veç një dëshmitar i rrejshëm, por një rrjet i tërë në skandalin e zbuluar të Speciales

Publikuar më:

Skandali me një dëshmitar të rrejshëm, të cilin e ka zbuluar ekipi mbrojtës i Kadri Veselit përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, duket të jetë më i thellë dhe më problematik.

Dëshmitari që kishte dhënë deklarata të rrejshme në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke pretenduar se ata ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve për të cilat janë gjykuar dhe dënuar krerët e veteranëve të luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe i cili më pas ka tërhequr deklaratat e tij duke pohuar se ishte nxitur nga një person tjetër që të gënjente, duket se nuk është i vetmi.

Mbrojtja, po ashtu, përmend një rrjet të dëshmitarëve të dërguar në Gjykatën Speciale nga një individ.

“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017”.

“Sipas vlerësimit të mbrojtjes, (redaktuar) ka ngritur pretendime dhe ka dhënë komente për më shumë se 60 individë gjatë bisedave të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mënyrë rutinore, ai ka ofruar ose pretenduar ta vë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kontakt me persona relevantë për hetimet”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Dëshmitari që kishte dhënë deklarata të rrejshme, si dhe personi që e kishte nxitur për t’i dhënë ato deklarata, sipas shkresës së mbrojtjes, kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb. Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, po ashtu kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.

“Akuzat e bëra nga (redaktuar) kundër (redaktuar) në deklaratën e tij të dytë janë jashtëzakonisht serioze. Në zemër të rastit të Prokurorisë në dukje është një ndërmjetësues i besueshëm, i cili ka udhëzuar një dëshmitar të dalë me gënjeshtra, në të cilat Prokuroria është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve. Akuza të tilla janë potencialisht katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë, duke marrë parasysh shtrirjen e kontakteve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me (redaktuar). Çdo prokuror etik do të kishte kuptuar menjëherë pas marrjes së atij kontakti të dytë me (redaktuar) cilat mund të ishin implikimet për rastin e tij dhe do të kishte ndërmarrë menjëherë hapa për të hetuar shkallën e kontaminimit”, thuhet në shkresë.

JU REKOMANDOJMË