Zyrtarët e lartë të Komunës së Mitrovicës, duket se nuk i kanë punët mirë me ligjin.
Burimet e “Jepi zë” brenda Komunës, i kanë thënë gazetës se disa zyrtarë komunalë në Mitrovicë po hetohen për rrugën në fshatin Kovaçicë.
Siç mësohet, dyshimet e departamentit të krimeve ekonomike, kanë të bëjnë me disa ndryshime të bëra në projektin e rrugës të cilat janë bërë pa kaluar në tender dhe duke iu shmangur procedurave të prokurimit.
Dyshimet hedhen edhe në trashësinë e asfaltit, pasi dyshohet se janë shtruar rrugica pa qenë fare në tender. Po ashtu, ka dyshime që një nga zyrtarët më të lartë në Drejtorinë e Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, ka bërë ndryshimet në projekt pa njoftuar ministrinë.
Tashmë shumica nga të dyshuarit janë intervistuar nga Policia e Kosovës dhe sipas informatave, ka bazë të mjaftueshme për dyshimet e hedhura për keqpërdorim e mjeteve përmes shtrimit të asfaltit.
Të intervistuar janë zyrtarët më të lartë komunalë si dhe zyrtarë që lidhen direkt me projektin.
“Jepi zë” ka siguruar edhe emrat e disa prej zyrtarëve që janë intervistuar, mirëpo për shkak të hetimeve nuk do të publikohen për momentin.