INTERPOL për Radoiçiqin: Dënim i mundshëm maksimal dhe burgim i përjetshëm

Publikuar më:

Milan Radoiçiq, personi i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest.

Radojçiq, i cili i priu grupit terrorist në Banjskë, aktualisht ndodhet në Serbi ku i është caktuar masa e largimit nga Serbia dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë. Javëve të fundit është shtuar presioni ndaj autoriteteve në Beograd që ta burgosin por ata kanë refuzuar.

INTERPOL-i e lëshoi fletarrest për Radoiçiqin, për të cilin thotë se ka kryer dy vepra penale në Kosovë: krim të ndërlidhur me terrorizëm dhe pastrim parash.

Në media është publikuar edhe raporti i INTERPOL-it për Radoiçiqin që është përditësuar më 16 shkurt 2024.

Në pjesën e fakteve për rastin, në dosje shkruhet: ”Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake dhe bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjskës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”, thuhet në raportin që ka siguruar Gazeta Express.

Tutje në raport thuhet se Radoiçiq përmes veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

“Gjithashtu ka dyshime të arsyeshme se në cilësinë e kreut të një grupi kriminal duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2017 deri më 24 shtator 2023, nëpërmjet veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave, kërcënimeve, shantazheve dhe kontrollit të grupit kriminal, ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si investimi i milionave në një vilë dhe blerja e një ‘penthouse’, barit, veturave dhe mjeteve të tjera motorike me qëllim të fshehjes/maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet tutje në dosjen e INTERPOL-it.

Te pjesa e informacionit gjyqësor, në raport shkruhen veprat për të cilat dyshohet Radoiçiq:“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës’, në kundërshtim me nenin 126, ‘Kryerja e veprës terroriste’ në kundërshtim me nenin 129, dhe ‘Pastrimi i parave’ në kundërshtim me nenin 302 të Kodit Penal të Kosovës (2019)”.

“Dënimi i mundshëm maksimal dhe burgim i përjetshëm”, thuhet më tej në raport.

Kërkesa për lëshimin e fletarrestit është bërë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është përcjellë për në INTERPOL nga shefja e UNMIK-ut më 3 tetor të vitit të kaluar.

Kur raporti u përditësua, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla shkroi se të dyshuarit për sulmin në Banjskë janë futu në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhër arreste.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, tha Sveçla më 16 shkurt.

INTERPOL-i nuk e ka konfirmuar në mënyrë specifike lëshimin e fletarrestit.

 

JU REKOMANDOJMË