Inspektorati: Bashkim Kurti u bë jashtëligjshëm kryeshef i Ujësjellësit në Mitrovicë

Publikuar më:

Inspektorati i Punës ka konstatuar se Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” ka zgjedhur jashtëligjshëm kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Bashkim Kurti.

KRU “Mitrovica” kishte shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv më 12 gusht të vitit 2021, ku Bordi i Përkohshëm kishte përzgjedhur në këtë pozitë kandidatin Bashkim Kurti.

Kandidatët tjerë, Alajdin Avdullahi, Naim Hajdini dhe Demir Shala kishin bërë ankesë ndaj këtij vendimi në Inpektoratin e Punës.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Jepi zë” Inspektorati i Punës ka konstatuar se Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve së pari është dashur të mbajë test me shkrim për kandidatët që i kanë plotësuar kriteret e konkursit dhe më pastaj të vazhdohet me intervistën me gojë, andaj Bordi ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 10 të Udhëzimit Administrativ Nr. 07/2017.

Pas procedurave me shkrim dhe intervistës me gojë Bordi ka qenë i obliguar që të gjithë kandidatëve t’ua dërgojë vendimin përfundimtar të përzgjedhjes së kandidatit që ka më së shumti pikë nga test me shkrim dhe intervista më gojë.

Në dokument thuhet se Kurti nuk i kishte plotësuar kriteret për të qenë pjesë e konkursit për këtë pozitë.

Inspektorati i Punës ka konstatuar se Bordi i Përkohshëm ka bërë shkelje duke përzgjedhur kandidatin Bashkim Kurti në pozitën e kryeshefit pasi ky i fundit nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit, ku kriter ka qenë që të ketë diplomë universitare në lëmin e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë, apo nga fushëveprimtaria e ndërmarrjes, andaj kandidati i përzgjedhur Bashkim Kurti ka diplomuar në kolegjin AAB Drejtimi Kriminalistikë dhe Master i Arteve në Menaxhment dhe Informatikë.

Si rrjedhojë, Inspektorati i Punës më datë 26.11.2021 i ka bërë vërejtje Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të KRU “Mitrovica” që në afat prej 3 ditësh të shfuqizojë vendimin për zgjedhjen e kryeshefit Bashkim Kurti dhe të rishqyrtohen edhe njëherë të gjitha procedurat që nga momenti i mbylljes së konkursit.

Kësisoj të mbahet testi me shkrim dhe intervista me gojë vetëm me kandidatët që i kanë plotësuar kushtet e konkursit.

 

JU REKOMANDOJMË