“Iliria O.P” nga Mitrovica ka dërguar beton tek vila e Radoiçiqit në Ujman

Publikuar më:

Aktakuza e përpiluar nga Prokuroria Speciale për 45 të dyshuar në sulmin terrorist në Banjskë, në krye me Milan Radoiçiq, përmend edhe përfshirjen e bizneseve dhe bizneseve shqiptare në ndërtimin e vilës së Radoiçiqit tek Liqeni i Ujmanit.

Dikush e furnizonte me material ndërtimor, e dikush me dyer e dritare. Emra të ndryshëm të biznesmenëve shqiptarë me lokacion në Mitrovicë përmenden në aktakuzën kundër Banjskës. Krejt këta, sipas aktakuzës, ishin ftuar si dëshmitarë për të dëshmuar për punën që kishin kryer në vilën e kryeterroristit Milan Radoiçiq në Liqenin e Ujmanit, e cila u sekuestrua pas Banjskës nga Policia e Kosovës.

Vila e Radoiçiqit u furnizua edhe me beton nga një firmë shqiptare përmes biznesit “Rad D.O.O”. Bëhet fjalë për “O.P. Iliria” me pronar Adem Kostanicën. Ai në cilësinë e dëshmitarit u shpreh edhe se si i mundësohej nga njerëz të Radoiçiqit të vinin të kryenin punimet gjatë kohës sa kishte trazira në veri.

“Në lidhje me furnizimin e materialeve të ndërtimit, dëshmitari Adem Kostanica në deklaratën e dhënë me datën 20.02.2024 në cilësi të pronarit të biznesit “O.P. ILIRIA” me adresë në Mitrovicë, ka deklaruar se e ka furnizuar me beton biznesin “RAD D.O.O.” dhe pagesat i janë bërë përmes bankës, si dhe shton se sipas kërkesës së “RAD D.O.O.” ka dërguar beton tek Vila në Ujman, kurse në rastet kur ka pasur trazira, njerëz të kompanisë “RAD D.O.O.” i kishin përcjell deri tek Vila në Ujman”, citohet të ketë thënë në dëshminë e tij Kostanica.

JU REKOMANDOJMË