Valdete Idrizi jep dorëheqje nga posti i drejtoreshës në Komunën e Mitrovicës

Publikuar më:

Drejtoresha e DKRS-së në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka dhënë dorëheqje.

Ajo ka thënë se arsyeja është familjare, shkruan “Jepizë”.

Idrizi ka përmendur disa punë të mëdha që kanë nisur e janë përfunduar në kohën e saj.

Në fund, Idrizi ka thënë se është e gatshme që t’i ndihmojë kryetarit Hamza edhe në të ardhmen.

Ky është njoftimi i saj:

Bashkëqytetarët e mi,
familjarë, shoqëri e miq,

Ditën e djeshme, i kam kërkuar kryetarit Bedri Hamza
të më liroj nga detyra e Drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit! Kjo kërkesë shtrohet për arsye personale e familjare!

Për mua, këto dy vite kanë qenë me të vërtetë të jashtëzakonshme, ndaj për këtë mundësi e falenderova së pari, kryetarin tonë, Bedri Hamza!

Gjatë kësaj kohe, së bashku me ekipin dhe me komunitetin sportiv e artistik, shoqërinë civile e mediat, kemi punuar fort që Mitrovicës tonë t’ja kthejmë gjallërinë dhe shkëlqimin e munguar, si qytet i sportit, kulturës e traditës.

Shumë festivale, qindra aktivitete të larmishme e që mblodhën të rinjtë e të rejat, po edhe gjeneratat e mesme dhe të shtyera, na bënë të punojmë edhe më shumë për Mitrovicën tonë.

Matanë modestisë, unë jam e lumtur që gjatë këtyre dy viteve sa isha në krye të kësaj drejtorie, falë punës dhe angazhimit maratonik, disa prej projekteve më të rëndësishme (që për hir të së vërtetës kanë qenë kërkesë dhe nevojë e kahmotshme e qytetarëve mitrovicas) t’i marrin hapat e parë por të sigurtë të jetësimit e realizimit! Këtu flasim për projekte të mëdha, siç është:

Ndërtimi i Bibliotekës së qytetit; Renovimi i tërësishëm i Qendrës së Kulturës; Renovimi i Teatrit; Renovimi i Palestrës së sporteve Minatori; Ndërtimi i fushës sportive në Kçiq; funksionalizimi i Palestrës Fatime Xhaka, etj.

Disa nga projektet e lartëpërmendura, tashmë janë në fazën përfundimtare e disa të tjera pritet të përfundojnë gjatë këtij viti.

Këto dhe të tjera projekte konkrete të cilat pritet të fillojnë së shpejti, si: Qendra moderne e xhudos; fusha sportive te Liqeni; Renovimi i Muzeut e Qendra kulturore në fshatin Kçiq; paralel me rritjen e vazhdueshme të mbështetjes së aktiviteteve sportive e kulturore; rritja e subvencioneve për rininë, sportin e kulturën, përgjithësisht mbi 400 %, janë indikatori më i mirë që tregon se Mitrovica, me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës, është në rrugën e duhur dhe se premtimet e kryetarit Hamza dhe qeverisjes së tij, po realizohen një nga një.

Unë gjatë këtyre dy viteve kam punuar me shumë dashuri e përkushtim, me ndershmëri, përgjegjshmëri e transparencë, duke krijuar partneritet të shëndoshë me komunitetin, me partnerë të shumtë vendorë e ndërkombëtarë; gjithnjë duke shpresuar në ndërtimin e një sistemi të bazuar tek meritokracia dhe mundësitë e barabarta!

Pra, le të jetë kjo një trashëgimi e fisme për brezat e këtij qyteti!

Çdo veprim, në këto dy vite e kam marrë me integritet profesional e personal, duke u bazuar në përvojën time profesionale 25 vjeçare, andaj falenderoj kryetarin Bedri Hamza për besimin dhe bashkëpunimin; nënkryetarin Arian Tahiri, kryesuesen e Kuvendit Vesa Broja, asambleistët, drejtorët komunal, kolegët nga DKRS-ja e Institucionet vartëse, poashtu edhe nga drejtoritë tjera. Falemnderit të gjithëve për një bashkëpunim të mirë e kolegial.

Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat, sportistët, artistët, shoqërinë civile e mediat, për përkrahje dhe bashkëpunim të mirë gjatë këtyre dy viteve sa isha në krye të kësaj drejtorie.

Sot e mot,
Falemnderit të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, për besimin dhe respektin e dhënë ndaj meje, ndër vite!

Anipse do të shkëputem për një kohë të shkurtër nga jeta publike, për t’u përqendruar në prioritetet dhe nevojat familjare që e kërkojnë prezencën time, unë kryetarin Hamza e sigurova që do të jem e gatshme dhe në dispozicion për çdo asistencë apo këshillë të nevojshme, me aq sa mundem dhe aq sa di e kam përvojë.

Punët e mira për qytetin tonë, nuk do t’i ndali kurrë, me tërë kapacitetin dhe bagazhin profesional e personal.

Duke i uruar suksese të pasosura në vazhdim kryetarit Bedri Hamza dhe tërë ekipit të tij, në realizimin e punëve të mira,

ju falenderoj të gjithëve, bashkëqytetarë, për përkrahjen, mirëbesimin dhe mbështetjen e pakushtëzuar!

Mitrovicë,
ji e mirë! 🤍

#bashkeperMitrovicen

JU REKOMANDOJMË