I vazhdohet suspendimi policit Besnik Shala, pasi përgjaku 19 vjeçarin në Mitrovicë

Publikuar më:

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar që policit Besnik Shala , i cili ushtroi dhunë brutale ndaj një 19 veçari në Mitrovicë, t’i vazhdohet masa e supendimit deri në përfundim të hetimeve.


Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka thënë për “Reporteri.net” se suspendimi do të zgjasë deri në fund të hetimeve.

“Nga IPK është rekomanduar suspendimi deri në përfundim të hetimeve. Kjo është një procedurë që kërkohet nga ne derisa të kryhen hetimet dhe rasti të marrë epilog”, tha Hodaj.

Ai ka thënë se pas përfundimit të hetimeve do të vendoset nëse ndaj policit Besnik Shala do të ngritet kallëzim penal.

“Për momentin hetimi është duke u zhvilluar vetëm ndaj një zyrtari por hetimet do të tregojnë nëse kanë qenë të përfshirë edhe të tjerë. Pas përfundimit të hetimeve do të vendoset a do të ngritet kallëzim penal”, shtoi ai.

Javën e kaluar 19 vjeçare SH. B u rrah nga polici Shala në mënyrë brutale.

19 vjeçari bashkë me tre shokë të tij e kishin kaluar natën pranë një zjarri tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë, meqë nuk kishin gjetur transport për kthim në shtëpi pas orës 19:00, thonë se kishin dëgjuar udhëzimet e policëve dhe ishin nisur të ktheheshin.

Por menjëherë pas kësaj, sipas tyre, njëri nga zyrtarët kishte filluar të ushtrojë dhunë fizike mbi ta. Viktima që u përgjak thotë se iu bind policit, por pavarësisht kësaj ai e goditi.

JU REKOMANDOJMË