Haxhiu: Kurti e Osmani u tërhoqën nga veriu, kjo do t’i sjellë pasoja Kosovës

Publikuar më:

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani se janë tërhequr nga shtrirja e sovranitetit në veri me organizimin e zgjedhjeve të reja.

Sipas tij, kjo “tërheqje” e tyre do të ketë pasoja të mëdha për Kosovën.

Haxhiu thotë se Kurti gjithmonë është tërhequr në momente vendimtare, duke përmendur edhe pranimin e Asociacionit që dikur e kundërshtonte.

“E ditur dhe e pritshme tërheqja e Albinit.

Gjithë jeta i shkoi duke u tërhequr, kështu ka vepruar edhe në kohën kur:

– Është tërhequr nga Zyra e Demaçit.

– Është tërhequr nga kundërshtimi i Pakos së Ahtisarit, për të cilin kundërshtim vdiqën dy djem të ri, ndërsa sot Albin Kurti është kryeministër i Pakos së Ahtisarit.

– Është tërhequr nga zbatimi i vendimit për targat ku është plagosur polici Ekrem Neziri nga Ferizaj. E dërgoi policinë e Kosovës drejt vdekjes për zbatim të vendimit për targat dhe prapë është tërhequr.

– Është tërhequr nga kundërshtimi i Zajednicës, e pranoi atë me vetmenaxhim.

– Është tërhequr nga parimet e proklamuara të dialogut me Serbinë”, shkroi ai ndër tjera.

Sipas deputetit Haxhiu, me tensionet në veri, Kurti rrezikoi jetët e policëve të Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, por edhe prishi marrëdhëniet me ndërkombëtarët e në veçanti me SHBA-në.

“Sepse krejt jeta politike e Albin Kurtit është me kaos, tensione, protesta e shkatërrim, tërheqje e mashtrim.Vetëm prej pushtetit nuk tërhiqet sepse pushtetin e do fort, të gjitha i sakrifikon për pushtet.

Albi Kurti dhe Vjosa Osmani mund të tërhiqen, por Izmir Zeqiri, Ilir Peci dhe Lulzim Hetemi nuk besoj!Sepse tërheqja pas trazirave është autonomi për serbët.

Të gjithë mbështetësit e Albin Kurtit kanë me u turpëru nga tërheqja e radhës e tij”, shkroi ai ndër tjera.

JU REKOMANDOJMË