Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj tjerë

Publikuar më:

Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët akuzohen së bashku me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte.

Në dy vendimet e 13 dhjetorit 2024, thuhet se paneli ka arritur në përfundim se nuk ka informacione të mjaftueshme që e justifikojnë dyshimet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen. Megjithatë, sipas tyre, ekziston rreziku se ata mund të pengojnë procedurat si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së ose edhe ndaj dëshmitarëve.

Sipas vendimit, ZPS-ja kishte argumentuar se asnjë nga rreziqet nuk mund të menaxhohen më mirë sesa në objektin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ata kanë parashtruar se sjellja e Veselit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato. Njëjtë thuhet edhe në vendimin për Thaçin.

“Me referencë në gjetjen e mëparshme të Panelit, ZPS argumenton se ndalimi i Z. Veseli mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, veçanërisht në dritën e përparimit të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin, e njësoj përshkruhet edhe në atë për Thaçin.

Si rrjedhojë, edhe paneli ka arritur në përfundim se vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Thaçit dhe Veselit është i arsyeshëm.

“Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ende ekzistojnë rreziqe për pengimin e procedurave dhe kryerjen e krimeve të tjera, të cilat nuk mund të menaxhohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme, Paneli arrin në përfundimin se ndalimi i Z. Veseli për një periudhë të mëtejshme dy mujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të rastit”, thuhet në vendimin për Veselin, ashtu sikurse edhe për Thaçin.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.