Grenell: Kam folur me Thaçin, Gjykata Speciale është shumë politike

Publikuar më:

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell ka treguar se ka folur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se sistemi i drejtësisë duhet ta bëjë punën siç duhet, por e cilësoi Gjykatën Speciale si shumë politike.

Richard Grenell, i cili po qëndron në Kosovë uroi që sistemi i drejtësisë të punojë më shpejt në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ndërsa tha se Gjykata Speciale e parandaloi arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam folur me ish-presidentin Thaçi. Mendoj se duhet ta lëmë sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij. Unë uroj që ata të jenë shumë më të shpejtë. Është e turpshme që u deshën 20 vjet për të arritur në këtë pikë. Mendoj se gjykata është shumë politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”, tha Grenell për T7.

Ai u shpreh se “BE-ja duhet të bëjë diçka për këtë” dhe theksoi se “politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi”.

Aktakuza kundër Thaçit që përmban akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, u bë e ditur më 24 qershor 2020, kur ish-presidenti po udhëtonte drejt SHBA-së për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në aeroplanin me të cilin po shkonte në raundin e radhës të dialogut që do të ndërmjetësohej nga administrata Trump, ish-kreu i Shtetit mësoi për akuzat kundër tij dhe ish-kryparlamentarit Kadri Veseli.

JU REKOMANDOJMË