Sot në mëngjes, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur vendimin për rastin tragjik të 19-vjeçares Betina Ymeri. Ky vendim erdhi pas rigjykimit të urdhëruar nga Gjykata e Apelit, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e çështjes.
Sipas gjykatës, është vërtetuar se Betina i dha fund jetës për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme dhe serioze nga i fejuari i saj, L.SH., gjithashtu 19 vjeç. Pas hetimeve dhe rigjykimit, i fejuari u shpall fajtor për shtytje në vetëvrasje dhe u dënua me katër vjet burgim, shkruan Jepi zë.
Rasti i Betinës kishte tronditur qytetin e Mitrovicës, duke nxitur reagime të shumta. Menjëherë pas ngjarjes, qytetarët organizuan një protestë për të kërkuar drejtësi dhe trajtim profesional nga institucionet përkatëse. Protestuesit kishin bërë thirrje që përgjegjësi të marrë dënimin e merituar.
Pas vendimit të sotëm, shumë qytetarë shpresojnë se drejtësia është vënë në vend, ndonëse dhimbja për humbjen e një jete të re mbetet e madhe./JEPIZË