Gjimnazi “Frang Bardhi” është duke funksionuar sipas skenarit B, që nënkupton se mësimi është i kombinuar, diku në mënyrë tradicionale e diku online.
Mirëpo, në këtë gjimnaz, ka dalë një problem që lidhet me çështjen e internetit. Nxënësit janë ankuar në “Jepi zë” se shkolla po i obligon të blejnë internet 3G e 4G.
Sipas tyre, drejtoresha ka marrë vendim që profesorët që janë me COVID të mbajnë mësim online nga izolimi me nxënësit që janë në klasë. Për këtë, nxënësit po obligohen të paguajnë internet thuajse çdo javë, pasi Drejtoria nuk po lejon qasjen në WI-FI, të cilin mund ta përdorin vetëm profesorët.
“Na si gjimnaz funksionojmë me skenarin B, pra mësim të kombinuar. E kemi instalu rrjetin në shkollë ku profat kycen përmes zoom me ata nxënës që janë online. Së fundmi, drejtoresha ka marrë vendim që profat që janë me covid, dmth ne izolim, me u kyc online prej shtëpisë me nxënësat që janë në klasë. Për këta, duhet që na nxenesat me pasë internet në telefonat tonë dmth me 3G, 4G”, thotë një nxënës.
E kjo, sipas tyre, është një barrë e rëndë duke ditur se ekonomitë familjare janë rënduar nga pandemia.
“Në këte kohe pandemie, me i obligu nxënësat që pothuajse cdo javë me pagu për internet ështe e papranueshme dhe jo e logjikshme. Sidomos kur shkolla ka wireless po jo te qasshëm për nxënësa po vetëm për profa”, shton nxënësi.
Sidoqoftë, shkollat zakonisht kalojnë në mësim online nga shtëpitë kur nuk mund ta mbajnë mësimin fizikisht dhe nxënësit nuk obligohen të kenë telefonë ose kompjuterë në klasë dhe të shpenzojnë në internet./jepize.com