Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po përballet me sfida serioze për furnizimin me ushqim për ushtarët, të cilat janë shkaktuar nga dështimet në tenderët për ushqime.
Megjithatë, tenderi për prodhimin e fotografive zyrtare për FSK-në po vazhdon sipas planit, shkruan Demokracia.com
Në një kohë kur Forca e Sigurisë së Kosovës po has në probleme të mëdha për furnizimin me ushqim për ushtarët, duket se procesi i sigurimit të fotove zyrtare po ecën pa ndonjë pengesë. Madje, çmimi për secilën foto arrin plot 52 euro për copë. “Furnizim me foto zyrtare për nevojat e FSK-së“, në vlerë prej 13 mijë eurosh, është tenderi më i fundit i shpallur nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas një tenderi të fundit të hapur nga Ministria e Mbrojtjes janë alokuar 13 mijë euro për 250 fotografi zyrtare, secila me përmasa të përcaktuara dhe kornizë imitim druri. Pra, nëse një ushtar nuk mund të sigurojë një vakt të ngrohtë, ai mund të ngushëllohet me një foto zyrtare, e cila do t’i zbukurojë zyrën me shkronja “Times New Roman”.
Ndërkohë, tenderët për ushqim për ushtarët kanë dështuar të sigurojnë nevojat e përditshme, sipas planeve të para. Megjithatë, pas pak javësh, ata do të kenë mundësinë të shohin veten në fotografi zyrtare, të kornizuara bukur, me xham antirefleks dhe një kornizë të kualitetit të lartë, për t’u ndjerë të paktën estetikisht të përfaqësuar në nivele evropiane.
Sipas dosjes së tenderit, këto fotografi duhet të përmbushin disa kritere strikte: përmasat duhet të jenë 40 x 60 cm, me korniza të zeza dhe fushë të bardhë për të shkruar emrin dhe mbiemrin e ushtarëve. Ky proces, siç duket, nuk përballet me vonesa apo probleme, ndryshe nga furnizimi me ushqim.
Nëse dikush pyet sesi është e mundur që ushqimi për ushtarët të ngecë për shkak të procedurave tenderuese, ndërkohë që procesi i prodhimit të fotove do të realzohwt pa ndonjë pengesë, ndoshta përgjigjja qëndron te rëndësia strategjike e këtyre fotove.