Faruk Mujka që po flet për çmimin e banesave, i ka 3 banesa dhe një shtëpi

Publikuar më:

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë sonte se Mitrovica nuk është një qytet i varfër duke theksuar faktin se në këtë komunë metra katror e banesave shitet deri në 750 euro.

Mujka tha se nëse deri para katër vitesh një metër katror ka kushtuar 350 euro sot nuk mund ta gjesh ndër 700 euro, shkruan “Jepi zë”.

“Mitrovica nuk është qyteti më i varfër sepse nuk matet vlera e një qyteti me numrin e rasteve sociale por matet me vlerën e tregut të pronave apo edhe objekteve në komunën e Mitrovicës. Nëse para 4-5 vitesh në Bajgorë një hektar ka kushtuar 2 mijë euro tash një ari është 2 mijë euro. Nëse 1 metër katror në Mitrovicë ka kushtu 350 euro sot nuk mund ta gjesh ndër 700 euro”, ka deklaruar Mujka në ATV.

E për krahasimin e Mujkës kanë reaguar shoqëria civile. Besart Peci ka kujtuar faktin që Mitrovica është e zhytur në varfëri dhe se qindra familje presin për shtëpitë sociale që po jipen në Frashër. Kjo, sipas tij, e tregon nivelin e varfërisë në qytet.

E çështjen e banesave, Mujka del se e njeh mirë. Numri dy i komunës së Mitrovicës në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar 3 banesa dhe një shtëpi.

Sipas deklarimit, shtëpia është në emër të babait dhe ka vlerë 200 mijë euro, dy banesa në emër të tij me vlerë 55 dhe 30 mijë euro, dhe një banesë në emër të gruas me vlerë 30 mijë euro.

JU REKOMANDOJMË