Europoli dhe sistemi – ETIAS Europoli

Publikuar më:

Shkruan: Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë

Termet kriminalitet, krim, kriminel kanë për të mbetur njësoj për aq sa ka jetë në tokë.

Por, metoda dhe mënyra e kriminalitetit, krimit dhe kriminelëve ka ndryshuar shumë, për atë nevojitet edhe strategji tjetër e veprimit dhe metodat të sofistikuara për ti luftuar.

Kemi aplikuar që të anëtarësohemi si institucion shtetërore në institucionet më të larta dhe kredibile të sigurisë në Evropë dhe botë. Por, siç e dini kemi dështuar në ato procese duke mos pasur strategji lobimi, jemi shumë të dobët në lobim.

Ju kujtohet se si dështuam të anëtarësohemi në Interpol, mos vallë kemi harruar se si çirreshin nëpër salla, delegacioni Serb duke lobuar pa ndalur kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kurse delegacioni ynë ishte komod në anën tjetër duke aluduar se po “pranohemi”, jo që nuk u pranuam por dështuam shumë keq, kurse tanimë kemi hezitim të aplikojmë prapë!

Me anëtarësim në Interpol kriminelët e luftës edhe nëse do të fshiheshin në skutat më thella, do të gjendeshin sepse fletë arrestet do të ishin ndërkombëtare dhe instrumentet e Interpolit do kryenin punën me profesionalizëm e bashkëpunim.

Duhet ta keni gjithmonë parasysh ju të nderuar që po lexoni shkrimin tim, se si i arrestoheshin liderët tanë politik e ish-ushtarët e UÇK-së në qytetet evropiane me fletë arreste të lëshuara nga shtetit Serb. Nuk duhet harruar diskriminimi i cili është ushtruar mbi ne, madje përmes organeve ndërkombëtare të lajthitura nga Serbia “manipuluese”.

Pra po e shihni se sa esenciale ka qenë dhe është anëtarësimi në Interpol.

Për Interpolin kam shkruar në këtë gazetë/portal të nderuar dhe shumë të respektuar me datën 26 nëntor 2021.

Sot, kemi vendosur të shkruajmë për Europolin!

EUROPOL është Agjenci e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit. Ndryshe quhet edhe si Policia Evropiane, ndërsa me selinë qendrore është në qytetin Hagë të Holandës.

Kjo agjenci mbështet 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian në luftën e tyre kundër terrorizmit, krimit kibernetik dhe shumë formave të tjera të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar (ose termi origjinal i krimit të organizuar Mafias).

Edhe policia e Kosovës ka dërguar zyrtarin e parë të saj ndërlidhës (Liasson Officer) në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit / Europol. Ai ditë më pare edhe ka filluar zyrtarisht detyrën dhe kjo është një e arritur shumë e madhe për shtetin dhe institucionet tona.

Eurpoli është i përkushtuar në bashkëpunimi kriminalistik policor në evitimin dhe luftimin e kriminalitetit në Evropë dhe sidomos peshën e saj e ka fituar pas bashkimit të një numri të caktuar shtetesh të këtij kontinenti në bashkimit evropian vetëm pas eliminimit të kontrolleve kufitare brenda unionit. Për territorin e tillë unik homogjen ka qenë e domosdoshme edhe ekzistenca e organizatës policore me karakter ndërkombëtar çfarë është edhe europoli me rolin e saj shumë të rëndësishëm.

Nxitja kryesore politike në formimin e europolit ka paraqitur Marrëveshja e Mastrihtit.

Marrëveshja për Unionin Evropian apo e njohur si marrëveshja e Mastriht është nënshkruar më 7 Shkurt 1992 në qytetin holandez të Mastriht.

Me këtë marrëveshje është krijuar edhe vet BE-ja, në bazë të marrëveshjeve paraprake për union, ndërsa në anën tjetër nën mbrojtjen ndër-shtetërore janë futur shumë fusha të ndryshme siç është zbatimi i politikës së përbashkët të sigurisë dhe ai i marrëdhënieve të jashtme si dhe i punëve të brendshme dhe drejtësisë.

Si e tillë marrëveshja është e përbërë nga të ashtuquajturat “tri shtylla”:

Shtylla e parë përmban plotësimet e marrëveshjes për Bashkësinë Ekonomike Evropiane dhe Marrëveshjen për Komisionin Evropian për Energji Atomike (Euroatom), duke ua dhënë emrin e përbashkët Bashkësi Evropiane.

Shtylla e dytë ka të bëjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe është themeluar mbi bazat e procedurave ekzistuese ndërshtetërore për bashkëpunimin politik evropian.

Shtylla e tretë përfshinë çështjet e drejtësisë dhe të punëve të brendshme.

Baza historike e Europolit mbështetet në grupin TREVI, i cili sot nuk ekziston dhe ka qenë i formuar në mes të viteve të 70-ta të Shek XX, si përgjigje ndaj kërcënimeve terroriste në Evropë.

Themelimi i tij ka qenë i domosdoshëm për shkak se Interpoli nuk ka pasur praktikë në trajtimin e veprave penale të natyrës politike. Nismën për krijimin e këtij organi konsultativ që u institucionalizua në kuadër të BE-së, e kishte ndërmarr Këshilli i Evropës në Romë më 1975.

Vendimi për formimin e tij u bë edhe më i rëndësishëm pas një viti me 29 Qershor 1976 në Luksemburg, me që rast ministrat e kishin miratuar një rezolutë e cila kishte për qëllim krijimin e një numri të grupeve studimore si pjesë të organit i cili duhej të quhej TREVI.

Qëllimi kryesor i TREVI, ishte promovimi i bashkëpunimit policor, në fillim në fushën e terrorizmit.

Anëtarësia e këtij grupi i kishte 12 shtete anëtare të Bashkësisë Evropiane, kurse vet grupi vepronte në tri nivele.

Niveli më i lartë ishte i përbërë nga ministrat e punëve të brendshme të 12 shteteve anëtare të cilët kryenin kontrollin politik gjithëpërfshirës.

Nën këtë nivel ishte grupi TREVI, i përbërë nga oficeret e lartë, kryesisht policor, nëpunës civil dhe zyrtar të tjerë. Ata ishin përgjegjës për këshillime politike të ministrave si dhe për koordinimin e punës së grupeve punuese të cilat përbënin nivelin e tretë. Njësia e caktuar nacionale ishte dhe është i vetmi përcjellës i informatave drejt qendrës së Europolit për luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar.

Qëllimet e njësisë nacionale janë:

Kombinimi në nivelin nacional të operacioneve për mbledhjen e informatave, raporteve për analizën e të dhënave dhe aktiviteteve tjera të cilat sot janë të fragmentuara apo të shkapërderdhura; b)

Krijimi i bazës së përbashkët nacionale i të dhënave në bashkëpunim me të gjitha organet dhe sektorët policore dhe gjyqësore të përfshira në luftën kundër tregtisë me drogë dhe formave tjera të kriminalitetit të organizuar, ose mundësimi i shfrytëzimit efikas të bazave ekzistuese të të dhënave.

Të lehtësojë aktivitetin operativ të organeve dhe sektorëve te hetuesisë duke siguruar të dhënat më aktuale informative

Krijimi i një qendre nacionale për kontakt dhe shkëmbim informatash në nivelin ndërkombëtar.

Njësia nacionale e çdo shteti ka të drejtë ta zgjedh së paku një ushtarak për lidhjen me qendrën e Europolit për luftë kundër drogës, me ç’rastkëshilli drejtues me vendim unanim cakton numrin e ushtarakëve për lidhje nga çdo vend anëtarë.

Detyrë e çdo ushtaraku të tillë është përfaqësimi i interesave të njësisë së vet nacionale në Europol, prandaj për këtë arsyeje mbi ta zbatohet e drejta nacionale e shtetit amë.

Detyrat kryesore të ushtarakëve evropian për lidhje (ELO),që zyrtarisht pranohen janë:

Sigurimi për Europolin i informatave dhe shënimeve, të cilat i posedojnë njësitë nacionale.
Përcjellja e informatave nga Europoli te njësia nacionale
Sigurimi i informatave dhe dhënia e këshillave lidhur me shtetinamë,.gjatë analizës së informative.
Gjuhët zyrtare të Europolit janë Anglishtja, Frëngjishtja dhe Gjermanishtja. Europoli financohet nga participimi i shteteve anëtare në pajtim me bruto produktin vjetor nacional të çdo shteti, të realizuar në vitin paraprak të caktimit të buxhetit, si dhe nga të gjitha të hyrat tjera.

ETIAS

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS).

ETIAS është një sistem i automatizuar IT i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në Zonën Schengen.

Gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza, që planifikojn të udhëtojnë në zonën Schengen, duhet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përmes sistemit para udhëtimit të tyre.

Informacioni i mbledhur përmes sistemit, në respekt të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave do të mundësojë verifikim të avancuar të risqeve potenciale për sigurinë apo migrimin e parregullt.

Autorizimi ETIAS nuk është vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do t’u kërkohet, si kusht i detyrueshëm për hyrje në zonën Schengen, që të marrin një autorizim para udhëtimit të tyre.

Me qëllim që të vendoset nëse do të jepet apo refuzohet një kërkesë për të udhëtuar në BE, sistemi do të kryejë kontrolle të mëparshme dhe do të japë apo refuzojë autorizimin e udhëtimit.

Vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat legale të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të udhëtarëve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të riskut të shtetasve të vendeve të treta, si dhe do të reduktojnë shumë numrin e refuzimeve të hyrjes në pikat e kalimit të kufirit.

Si do t’i trajtojë ETIAS hendeqet e shumta ekzistuese të informacionit?

Aktualisht autoritetet kompetente të kufirit dhe zbatimit të ligjit kanë pak informacion mbi ata që janë të përjashtuar nga vizat – ndërsa kanë informacion mbi njerëzit që udhëtojnë me viza.

Duke siguruar që gjithë vizitorët të kontrollohen para mbërritjes së tyre dhe që një autorizim i vlefshëm udhëtimi kërkohet për gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat, ETIAS do të identifikojë personat që mund të paraqesin risk për sigurinë apo për migrim të parregullt para se ata të mbërrijnë në kufi dhe do ta trajtojë këtë hendek informacioni mbi udhëtarët pa viza duke mbledhur informacion që mund të jetë jetik për autoritetet e kufirit dhe zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare..

Sa më shumë të jetë e mundur dhe kur është teknikisht e arritshme, Sistemi i Informacionit ETIAS do të ripërdorë komponentët harduerë dhe softuerë të EES dhe infrastrukturën e tij të komunikimit.

Gjithashtu do të vendoset ndërveprim me sisteme të tjera të informacionit që do të konsultohen nga ETIAS, si Sistemit i Informacionit të Vizave (VIS), të dhënat e Europolit, Sistemi i Informacionit Schengen (SIS), Eurodac dhe Sistemi Evropian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS).

Kur verifikon dhe vlerëson informacionin e paraqitur nga udhëtarët e përjashtuar nga vizat me qëllim që t’u jepet apo mohohet një autorizim udhëtimi, sistemi do të verifikojë automatikisht çdo aplikim kundrejt:

S
istemeve përkatës ekzistues të informacionit të BE-së:
Sistemit të Informacionit Schengen (SIS),
Sistemit të Informacionit të Vizave (VIS),
Të dhënave të Europolit,
Bazën e të dhënave Eurodac,
Sistemeve të propozuar të ardhshëm të informacionit të BE-së:
Sistemi Hyrje/Dalje (EES),
Sistemi Evropian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS).
Bazave përkatëse të të dhënave të Interpolit:
Bazën e të dhënave të Dokumenteve të Vjedhura dhe të Humbura të Udhëtimit të Interpolit (SLTD),
Dokumentet e Udhëtimit të Interpolit të shoqëruara me bazën e të dhënave të njoftimeve (TDAWN)),
Si dhe një listë të dedikuar mbikëqyrjeje të ETIAS (që do të krijohet nga Europoli).
Duke siguruar informacion jetik mbi sigurinë, migrimin e parregullt dhe risqet për shëndetin publik para mbërritjes së një personi në kufirin Schengen, ETIAS do të kontribuojë shumë për mbylljen e hendeqeve ekzistues të informacionit mbi sigurinë dhe do t’u sigurojë informacionin jetik të nevojshëm autoriteteve të Shteteve Anëtare për t’i ndihmuar të piketojnë individët potencialisht problematikë, si dhe për të marrë masa para se ata të mbërrijnë në kufijtë e jashtëm Schengen.

Në mënyrë më specifike, një identifikim më i mirë dhe më i saktë i reziçeve potenciale për sigurinë ei shtetasve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat para se të mbërrijnë në kufirin e jashtëm të zonës Schengen do të përmirësojë zbulimin e trafikimit të qenieve njerëzore (veçanërisht në rastin e të miturve), do të ndihmojë për t’i bërë ballë kriminalitetit ndërkufitar, si dhe përgjithësisht do të lehtësojë identifikimin e personave prania e të cilëve në zonën Schengen mund të përbëjë kërcënim për sigurinë.

Të dhënat e ruajtura në ETIAS, në respekt të të drejtave themelore dhe mbrojtjes së të dhënave, mund të vihen gjithashtu në dispozicion të autoriteteve kombëtare të zbatimit të ligjit dhe Europolit, nëse është e nevojshme për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimeve terroriste, apo vepra të tjera penale serioze, si dhe për identifikimin e autorit të një vepre terroriste apo krimi tjetër serioz.

Para së gjithash, ETIAS nuk është vizë. Një udhëtar pa vizë sigurisht që nuk ka nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen. ETIAS nuk do ta ndryshojë këtë. ETIAS është një sistem më i lehtë, shumë më i lirë, më i shpejtë dhe më miqësor me vizitorët që në më shumë se 95% të rasteve do të rezultojë me një përgjigje pozitive brenda pak minutave.

Një autorizim udhëtimi ETIAS nuk nënkupton kërkesat e një vize. Nuk ka nevojë të shkohet në konsullatë për të bërë një aplikim, nuk kërkohet regjistrim biometrik dhe mblidhet dhe vlerësohet shumë më pak informacion sesa gjatë një procedure aplikimi për vizë.

Ndërsa, si rregull i përgjithshëm, një procedurë për vizë Schengen mund të kërkojë deri në 15 ditë dhe në disa raste mund të zgjatet deri në 30 apo 60 ditë, aplikimi online ETIAS kërkon vetëm pak minuta për t’u plotësuar.

Vlefshmëria do të jetë për një periudhë prej pesë vjetësh, shumë më e gjatë sesa vlefshmëria e një vize Schengen. ETIAS do të jetë gjithashtu i vlefshëm për një numër të pakufizuar hyrjesh.

Të dhënat personale të regjistruara në ETIAS nuk do të mbahen më gjatë nga sa është e nevojshme për qëllimin.

Të dhënat do të ruhen për:

periudhën e vlefshmërisë së autorizimit të udhëtimit ose,
pesë vjet nga regjistrimi i hyrjes së fundit të aplikuesit ruajtur në Sistemin e Hyrje-Daljeve (EES) ose,
pesë vjet nga vendimi i fundit për të refuzuar, revokuar apo anuluar autorizimin e udhëtimit.
Pas mbarimit të periudhës pesëvjeçare, dosja e aplikimit dhe të dhënat personale do të fshihen automatikisht nga Sistemi Qendror ETIAS.

Autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare dhe Europol do të kenë qasje në ETIAS, në kushte rreptësishtë të përcaktuara, për parandalimin, zbulimin apo hetimin e veprave terroriste apo veprave të tjera serioze penale. Kjo qasje do të jepet për raste specifike dhe vetëm pas një konsultimi paraprak me bazat kombëtare penale të të dhënave dhe kur bazat e të dhënave të Europolit nuk kanë dhënë informacionin e kërkuar.

Autoritetet e përcaktuara dhe Europoli duhet të kërkojnë qasje në ETIAS vetëm kur kanë baza të arsyeshme për të besuar se kjo qasje do të sigurojë informacionin që do t’i ndihmojë shumë në parandalimin, zbulimin apo hetimin e krimeve terroriste apo veprave të tjera serioze penale.

Njësitë Kombëtare ETIAS që operojnë 24 orë në javë do të ngrihen në çdo Shtet Anëtarë dhe do të kenë përgjegjësinë kryesore të kryerjes së vlerësimeve të riskut, do të vendosin mbi autorizimin për udhëtim për aplikimet e refuzuara nga procesi i automatizuar i aplikimit, si dhe do t’u sigurojnë aplikuesve informacion lidhur me procedurën që do të ndiqet në rast apeli.

Roli i Europolit?

Europoli, si një qendër informacioni për sigurinë e BE-së, është në një pozicion unik për të kombinuar informacionin që nuk është i disponueshëm për Shtetet Anëtare individuale apo në baza të tjera të dhënash të BE-së.

Të dhënat e siguruara nga aplikuesit për një autorizim ETIAS do të verifikohen me të dhënat e mbajtura nga Europoli lidhur me personat që dyshohet se kanë kryer apo kanë marrë pjesë në një vepër penale, që kanë qenë dënuar për një vepër të tillë apo për ata mbi të cilët ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të besuar se do ta kryejnë një vepër të tillë.

Europol do të përfshihet gjithashtu në përkufizimin e rregullave verifikuese të ETIAS, si dhe do të menaxhojë listën mbikëqyrëse të ETIAS brenda të dhënave Europol. Për më tepër, Njësitë Kombëtare ETIAS do të konsultohen me Europolin pas një kërkimi në rrjet që ka ndodhur gjatë përpunimit të automatizuar ETIAS me të dhëna të mbajtura nga Europoli.

Udhëtarët e përjashtuar nga vizat para udhëtimit?

Udhëtarët do të duhet të bëjnë një aplikim online përmes një uebsajti të dedikuar apo një aplikim për pajisje të lëvizshme. Plotësimi i aplikimit nuk duhet të marrë më shumë se 10 minuta dhe nuk duhet të kërkojë asnjë dokument përtej një dokumenti udhëtimi (një pasaportë apo dokument tjetër ekuivalent). Në rast paaftësie për të bërë një aplikim (për shkak të moshës, nivelit të shkrimit dhe këndimit, qasjes në teknologjinë informative dhe kompetencave, etj.) aplikimet mund të paraqiten nga një person i tretë.

Një pagesë elektronike prej 5 € për çdo aplikim do të kërkohet për gjithë aplikuesit mbi moshën 18 vjeç.

Ky proces (dhe pagesa) do të duhet të rinovohen vetëm në fund të vlefshmërisë së autorizimit të udhëtimit. Metodat e pagesës elektronike do të marrin parasysh zhvillimet teknologjike dhe disponueshmërinë e tyre në vendet pa viza, me qëllim që të mos pengohen shtetasit e vendeve të treta pa viza që mund të mos kenë qasje në disa mënyra pagesash kur aplikojnë për një autorizim ETIAS.

Vendimi përfundimtar do të merret brenda dy javëve nga aplikimi i tyre.

Kur një personi i është refuzuar autorizimi i udhëtimit nga ETIAS?

Nëse autorizimi i udhëtimit është refuzuar, aplikuesi do të ketë gjithnjë të drejtën të apelojë. Apelet mund të bëhen në Shtetin Anëtar që ka marrë vendimin mbi aplikimin dhe në përputhje me ligjin kombëtar të atij Shteti Anëtar. Aplikuesi do të informohet se cili autoritet kombëtar ishte përgjegjës për përpunimin dhe vendimin për autorizimin e tij/saj të udhëtimit, si dhe informacion lidhur me procedurën që do të ndiqet në rast apeli. Nëse udhëtari e konsideron trajtimin si të padrejtë, atij/asaj i jepet gjithashtu e drejta të kërkojë korrigjim apo të kërkojë qasje në informacion përmes autoritetit kombëtar.

Vlefshmëria e një autorizimi udhëtimi ETIAS?

Vlefshmëria e autorizimit të udhëtimit do të jetë 5 vjet (ose deri në datën e mbarimit të afatit të dokumentit të udhëtimit).

Shtrirja territoriale e ETIAS?

ETIAS përbën një zhvillim të acquis të Schengen dhe do të aplikohet në ato Shtete Anëtare që janë pjesë e zonës Schengen, përfshirë ato Shtete Anëtare që ende nuk e aplikojnë plotësisht acquis e Schengen, si Kroacia, Qipro, Bullgaria dhe Rumania, si dhe vendet e asociuara Schengen Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtejni.

Mbretëria e Bashkuar(nuk është më në BE), por as Irlanda nuk janë pjesë e zonës Schengen dhe nuk do të marrin pjesë në miratimin e Rregullores, si dhe nuk janë të detyruara prej saj apo subjekt i aplikimit të saj.

Danimarka nuk merr pjesë në miratimin e rregullores, por mund të vendos brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, pasi Këshilli të ketë vendosur mbi rregulloren nëse do ta zbatojë atë në legjislacionin e saj kombëtar.

Do të isha i lumtur nëse kam arritur të ju informoj në këtë momentum i cili na pret vitin e ardhshëm me libreralizimin e vizave, sepse pikërisht kjo do na shërbej sistemi ETIAS, i cili na është kërkuar të funksionalizohet në kufijtë tanë. Në aspektin e sigurisë ndërkombëtare besoj fuqishëm se Kosova ka potencial ti shërbej Europolit e Interpolit në çdo aspekt operative e në krijimin e politikave që na bëjnë kontinentin tonë të sigurt!

Mitrovicë 28.03.2023

JU REKOMANDOJMË