Elezi thotë se nëse Faton Hajrizi varroset me nderime, Serbia do ta përdorë kundër Kosovës

Publikuar më:

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, vlerëson se nëse Faton Hajrizi varroset me nderime, atëherë kjo do të përdorej nga Serbia për të dëmtuar imazhin e Kosovës.

“Sigurisht që nëse Fatonin do ta varrosim me nderime, atëherë kujtoj që do të jetë një kampion që do t’i shërbejë Serbisë. Ndërsa pjesa tjetër private, qoftë edhe pjesëmarrja e kush e di e sa njerëzve, do të ishte në kuadër të mllefit që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë ndaj Serbisë, dhe e shohin se një shqiptar ka arritur ta vrasë një serb”, u shpreh ai.

Në emisionin Kosova Today, ai tha se prej kohësh është tentuar që Hajrizi të paraqitet si profil me kapacitete kombëtare, e që pas vrasjes së tij, njerëzit “gabimisht” kanë tentuar ta paraqesin si hero.

“Minimalisht para ndërkombëtarëve të sqarojmë me elaborim të veçantë të gjithë situatën, dhe Serbisë t’i pamundësojmë pretendimet e saj. Mos të harrojmë që paraprakisht kishte filluar një lloj personalizimi i Faton Hajrizit, kishte disa video menjëherë pas largimit nga burgu, kishte një lloj parapërgatitjeje për një profil të caktuar me kapacitete kombëtare”.

“Keni parë edhe disa veprime të gabuara të njerëzve që po mundohen që të heroizojnë Fatonin. Veprime të cilat mund të përdoren nga Serbia”, shtoi eksperti i sigurisë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.

Trupi i Hajrizit arriti nga Serbia në Kosovë mbrëmë një orë pas mesnate, ndërsa familjarët e të ndjerit, në IML e kanë konfirmuar se ai është trupi i Fatonit.

JU REKOMANDOJMË