Mbrëmjen e sotme është lajmëruar nga kufiri Ukrainë-Poloni, mërgimtari nga Vushtrria që jeton në Suedi, Liridon Rama, i cili ka treguar për “Jepi zë” se po ndihmon refugjatët ukrainas.
Sipas Ramës, ata kanë nisur një autobus me rreth 40 refugjatë, ndërkaq nesër pritet të nisin edhe një autobus tjetër, shkruan “Jepi zë”.
“Sot e kena nis një autobus me 47 persona, edhe kismet nesër niset edhe një autobus me diku 40 deri 50 persona”, thotë ai.
Rama ka treguar për “Jepi zë” se po kujdesen për refugjatët edhe me ushqime dhe po sigurojnë vende strehimi edhe në Suedi. Këtë gjë, ai thotë se po e bën me miq të tij në mënyrë vullnetare. Sipas tij, numri i refugjatëve është i madh.
“Sot diku 8 mijë veta kanë dalë prej kufirit kanë hyrë në Poloni, dhe po thonë se diku 8 mijë deri në 12 mijë vetë kanë me ardhë nesër”, shton ai.
Ndërkohë, duhet theksuar se edhe disa mërgimtarë të tjerë ishin nisur dje nga Zurichu i Zvicrës për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
Ndryshe, refugjatët e parë kanë arritur sot në Shqipëri, ndërkohë që në Kosovë ende jo. Shteti kosovar ka thënë se janë të gatshëm të presin deri 5 mijë refugjatë.