“E shihja lajmin në portale dhe nuk mund të besoja” – flet djali i gruas që u vra dje në Vushtrri

Publikuar më:

Frika dhe pasiguria kanë pllakosur Vushtrrinë. Rrugët duken më të heshtura se zakonisht, ndërsa banorët flasin me zë të ulët për ngjarjet tronditëse.

“Nuk e prisja kështu. E shihja lajmin në portale dhe nuk mund të besoja”, thotë mes lotësh 19-vjeçari Alaudin Haradini.

Nëna e tij 42 vjeçe, Nexhmije Haradini, u vra me armë zjarri më 24 mars në fshatin Stanoc të komunës së Vushtrrisë. Autori i dyshuar i krimit, 58 vjeç, vrau më pas veten.

Më pak se 24 orë më herët, Vushtrria ishte tronditur nga një tjetër ngjarje e rëndë: vrasja e një 19-vjeçari në qendër të qytetit.

Për të dyja rastet, autoritetet thonë se janë duke kryer hetime e duke mbledhur prova, por për Alaudinin dhimbja është e padurueshme.

“Ajo ka punuar në furrë buke për të na mbajtur neve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Me babanë dhe dy motrat më të vogla, Alaudini e gjen veten në një realitet të ri e të papritur. “Vrasja e nënës sime duhet të jetë rasti i fundit”, thotë ai, pa dashur të flasë më gjatë.

Më pak se 15 kilometra larg fshatit të tij, brenda në qytetin e Vushtrrisë, banorët dëgjuan për këtë rast, ende pa u këndellur nga vrasja e 19-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i dyshuar.

“Krejt qyteti është në panik”, thotë Hazir Shabani.

“Të ndodhin këto gjëra në muajin e shenjtë të Ramazanit, është katastrofale”, shprehet ky vushtrrias.

“Qyteti është shumë, shumë i zymtë” edhe për bashkëvendësen e tij, Advie Magjuni.

“Vrasje andej e këndej. Nuk besoj se jemi shumë të sigurt. Fëmijët të bartin armë? Kjo është katastrofë”, thotë 56-vjeçarja.

Një pjesë të përgjegjësisë, ajo e drejton edhe tek institucionet e shtetit, duke thënë se policia duhet të jetë më e organizuar dhe më e pranishme, sidomos në rrugët e lagjet që frekuentohen më shumë.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.