Drejtori i Arsimit në Komunën e Mitrovicës Jugore po thotë se Agim Bahtiri është nervozuar pas vendimit për zgjedhjen e drejtorëve në disa shkolla të kësaj shkolle. Ai tha se Bahtiri gojarisht ia ka përmendur edhe shkarkimin.
Një vendim i drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ismet Ferizi e ka nervozuar të parin e komunës, Agim Bahtiri. Madje sipas Ferizit, Bahtiri i ka thënë gojarisht se do ta shkarkojë.
E lidhur me këto pretendime, ai për Gazetën Express ka deklaruar se e tëra kjo filloi pas shfaqjes së pakënaqësive tek Bahitiri, lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve në disa shkolla në këtë komunë.
E për këtë çështje, Ferizi tha se kryetari u bë edhe nervoz.
“Se di a ka përfunduar gjithçka. E kemi një kontest për sa i përket përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave. Komisioni profesional e ka bërë një përzgjedhje të vet. Tash si duket ata nuk janë pëlqyer sa duhet dhe ai e ka shprehur sot një nervozizëm. Ma ka përmendur edhe shkarkimin por ende nuk kam marr ndonjë vendim”, ka thënë ai.
Për sa i përket shkarkimit, Ferizi tha se ende nuk ka marr ndonjë vendim zyrtar nga Bahtiri.
“Ma ka përmendur shkarkimin vetëm gojarisht, por ende nuk kam marrë asnjë vendim zyrtar”, deklaroi ai.
Këtë mosmarrëveshje me Bahtirin, Ferizi e ka konsideruar normale.
“Është koha që tash ose kurrë me punu parimisht dhe jo mbi baza partiake. Është koha që arsimi me depolitizu definitivisht. Kjo është kërkesë e imja si drejtor pavarësisht se a do të jem apo jo unë. Kam karrierë 22 vjeçare. Më njohin të gjithë por unë nuk lëvizi nga parimet e mia. Ndodhin këso gjëra por unë i konsiderojë normale”, ka thënë më tutje ai.
Ditë më parë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka shkarkuar nga detyra Drejtoreshën për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi.
Arsyetim për shkarkim, Bahtiri e ka dhënë neglizhencën në punë