Dyshime për varrezë masive në Serbi, gjenden dy kafka që mund të jenë të shqiptarëve

Publikuar më:

Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka thënë se gjatë gërmimeve të fundit në Kizhevak të Serbisë janë gjetur kafkat e dy personave.


Ai më tej ka sqaruar se gjatë së martës pritet të bëhet tërheqja e tyre, në mënyrë që tu merren mostrat për test të ADN-së.

“Të shtunën ka përfunduar punën ekipi i parë, sot në orën 07:00 është nisur ekipi i dytë gjithashtu prej tre anëtareve, do të punojnë deri të shtunën pra gjashtë ditë në javë punohet. Gjithsesi do të kemi punë edhe në javën në vijim e varësisht prej problematikave që munden me na lind në terren mund të ndodh që të zgjatet derisa të përfundojë tërësisht”.

“Deri më tani në sipërfaqe pas largimit të një shtrese të dheut dhe të gurëve kanë dal dy kafka dhe minimum dy persona për të cilët duhet të bëhet tërheqja e tyre dhe të bëhet inspektimi mjeko-ligjor dhe të merren mostrat për ADN”, tha Gerxhaliu.

Gërxhaliu thotë se edhe dy javë ka punë sa i përket gërmimeve në këtë pjesë dhe se nuk dihet numri i trupave që dyshohet se mund të jenë aty.

“Edhe dy javë kemi punë, sa i përket numrit nuk e preferoj ta them, por mund të them që pala serbe e cila thotë herë 14 e herë 16, por doemos e dimë që ky grupacion i takon grupit të Rezallës e cila ndërlidhet me pjesën e gjetur në vitin 2014 në Rudnicë, bile prej dy identifikimeve të reja i takojnë atij grupacioni që ka qenë një investigim i yni i mëhershëm që kemi dyshuar, pra është vërtetuar e njëjta. Dhe kemi poashtu një ribashkim sepse gjysma e trupit të rastit të dorëzuar më herët ka dal tash në Kizhevak”.

Që nga nisja e punës në Kizhevak, Gërxhaliu konfirmon se një ekip prej katër personave ka bërë kontroll të detajuar të terrenit.

“Po javën e kaluar ne filluam punën në Kizhevak, ishim ekipi prej katër anëtarëve, dy mjeko-ligjor, një antropolog dhe një fotograf mjeko-ligjor. Ditën e parë kemi bërë dekonservimin e terreni, kanë qenë pesë shtresa të masavë gjeoplastike, të cilat i kemi vendosur në dhjetor për ta konservuar terrenin dhe për të mos lëvizur, pra u bë një kontroll i detajuar e largimit të tyre dhe ditën e parë pak humbim kohë derisa është bërë montimi i mjetit për matjen 3D të pjesëve kockore”.

“E dimë që diku në një trashësi prej katër metrash, ndodhen mbetjet mortore, sepse ato janë hedhur me kamion dhe ka ndodhur shkapërderdhja e pjesëve kockore dhe normal që çdo pjesë kockore të hekurt duhet të matet dhe të jetë në program”, përfundoi Gërxhaliu për EO.

Edhe të hënën kanë vazhduar në Kizhevak të Rashkës, gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, të rifilluara më 5 maj.

Të shtunën, lokacioni i varrezës masive, është vizituar edhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

JU REKOMANDOJMË