Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë të Jugut, Drita Kadriu e ka konfirmuar se janë në dijeni për rastin e raportuar nga një nënë e cila pretendon se djali i saj po ofendohet, shantazhohet, kërcënohet me mjete të ftohta nga nxënësit tjerë të shkollës.
Drejtori i shkollës ku vijon mësimin i mituri të premten, më 31.01.2025, i ka përgënjeshtruar pretendimet e prindit të nxënësit duke thënë se nuk është e vërtetë se fëmija i saj po keqtrajtohet e rrahet nga nxënësit e tjerë.
Kurse, Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e trajtuar këtë rast.
“Jemi në dijeni për rastin dhe varësisht nga rezultatet do të merren masat” – ka thënë Kadriu për KALLXO.com, më 01.02.2025.
Kadriu i është përgjigjur reagimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me këtë rast, e cila hedhi kritika ndaj Komunës së Mitrovicës për trajtimin e rastit.
Sipas Kadriut, Nagavci po mbledhë vota, pasi është kohë e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.
“Fushatë është, po i mbledhë votat. Deri i ka ra në mend asaj, na jemi marrë me temën” – tha Kadriu.
Në reagimin e saj, ministrja Nagavci shprehi shqetësim të thellë për këtë rast dhe theksoi se dhuna në çfarëdo forme, është e papranueshme dhe nuk tolerohet.
“Njëkohësisht, është alarmuese që Komuna e Mitrovicës ka dështuar ta trajtojë këtë rast, duke mos i dhënë rëndësinë që meriton. Ky është një dështim institucional që nuk mund të kalojë pa dhënë përgjegjësi” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 31.01.2025
Nagavci i ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë me prioritet këtë rast dhe të ndërmarrin veprimet e duhura.
“Ministria që drejtoj, në bazë të kompetencave që bart do ta angazhojë menjëherë Inspektoratin e Arsimit që ta trajtojë këtë rast. Fëmijët tanë meritojnë një mjedis shkollor të sigurt dhe të mbrojtur, jo një vend ku dhuna normalizohet për shkak të mosveprimit të institucioneve lokale” – ka shtuar Nagavci.
Më tej, ajo ka vazhduar me kritika ndaj Komunës së Mitrovicës duke thënë se rastet si ky, do të ishin parandaluar shumë lehtë nëse komunat do të bënin punën e tyre.
“MAShTI ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla. Konkretisht, nga 28 pozita të buxhetuara për Mitrovicën, kjo komunë ka punësuar vetëm 1. Është koha e fundit që të veprohet” – ka theksuar ministrja.
KALLXO.com e ka pyetur Kadriun për numrin e psikologëve shkollor të punësuar në Mitrovicë të Jugut, por ajo nuk ka dhënë përgjigje.
KALLXO.com raportoi pretendimet e nënës së nxënësit të mitur, të cilat ajo i ka publikuar në një profil në Facebook të premten, më 31.01.2025.
Ajo ka treguar se është nënë vetushqyese dhe se këto shqetësime për djalin e saj i ka ngritur te drejtori i shkollës, kujdestarja e klasës dhe te prindërit e fëmijëve që pretendon se po shkaktojnë dhunë ndaj tij.
Prindi së bashku me djalin e saj të mitur thotë se është paraqitur në Policinë e Mitrovicës, më 31.01.2025, për këtë rast.
Ajo pretendon se kujdestarja e klasës ku mëson djali i saj është në dijeni për rastin dhe se ka marrë masë ndëshkuese ndaj të miturit duke e larguar nga klasa.
Më tej, prindi thotë se djalin e saj e kanë kaluar në një klasë paralele tjetër, dhe sipas saj, një fëmijë “problematik” dhe të tjerë kanë shkuar në atë paralele dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se në orët e pasditës më 31.01.2025 kanë pranuar një raportim nga nëna e një nxënësi në raport me shkollën ku ai vijon mësimin.